Kërkesa për një buzëqeshje të bukur është bërë gjithnjë e më e zakonshme te pacientët, sidomos në kohën kur rrjetet sociale dhe trendet estetike ndikojnë fuqishëm në mënyrën se si njerëzit e perceptojnë pamjen e tyre.
Por sipas Rajmonda Halilit, specialiste e protetikës stomatologjike, buzëqeshja nuk duhet të jetë kopje e dikujt tjetër, por pjesë e identitetit personal të secilit pacient.
Për këtë temë, Halili ka folur në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga United Hospital dhe Qendra Laserike e Syrit Kubati, ku u diskutua për shëndetin dhe estetikën e buzëqeshjes, urat dentare, kurorat, vinerët dhe gabimet më të shpeshta që bëhen gjatë trajtimeve protetike.

Duke folur për pacientët që kërkojnë të kenë buzëqeshjen e një personi tjetër, Halili tha se raste të tilla janë të shpeshta, pasi shumë pacientë vijnë me një imazh të caktuar dhe kërkojnë që ai të kopjohet.
“Ka shumë kërkesa, krejt vijnë me fotografi”, u tha gjatë bisedës, ndërsa Halili shpjegoi se pacientët shpesh e kanë një imazh të dikujt tjetër dhe duan të krijojnë të njëjtën buzëqeshje.
Megjithatë, specialistja theksoi se buzëqeshja nuk mund të trajtohet si model i gatshëm që përsëritet te çdo pacient, sepse çdo fytyrë, çdo dhëmb dhe çdo formë goje është ndryshe.
“Buzëqeshja është individuale, forma e fytyrës është individuale”, tha Halili.
Sipas saj, edhe forma e dhëmbëve, harku dentar dhe ngjyra janë elemente që ndryshojnë nga një person te tjetri dhe duhet të merren parasysh para çdo ndërhyrjeje estetike.
Halili tha se sot kërkohen shpesh ngjyra më të hapura dhe dhëmbë më të bardhë, por kjo nuk do të thotë se rezultati final duhet të jetë i njëjtë për të gjithë.
“Gjithsesi, punimi final duhet të jetë individual”, theksoi ajo.
Në këtë pjesë, ajo përmendi edhe një fenomen që po vërehet gjithnjë e më shumë në evente familjare, sidomos në dasma, ku sipas saj po shihet një ngjashmëri e madhe në pamje dhe buzëqeshje.
“Qysh prej nënave dhe vjehrrave deri tek nuset, janë të njëjtat fytyra. Domethënë është e njëjta buzëqeshje, është e njëjta fytyrë, është e njëjta pamje”, tha Halili.
Sipas saj, kjo tregon se trendet estetike po i largojnë njerëzit nga natyraliteti dhe nga ajo që i bën të veçantë.
“Na duhet me transmetu emocionin, na duhet me transmetu të vërtetën tonë se ne njihemi dhe nuk duhet të jemi gjithnjë të njëjtë”, u shpreh specialistja.
E pyetur nëse po shihet një kthesë nga “Hollywood white” drejt estetikës natyrale, Halili tha se në estetikën dentare kjo kthesë ende nuk ka ndodhur plotësisht.
“Ende nuk jemi në epokën e kthimit për pjesën estetike të dhëmbëve”, tha ajo.
Ajo dha edhe një këshillë për nuset, nënat dhe vjehrrat që kërkojnë ndryshime estetike, duke theksuar se mosha, forma e fytyrës dhe individualiteti duhet të respektohen.
“Nuk është patjetër të duket sikur nusja, sikur nëna ose sikur vjehrra, sepse mosha dallon. Duhet ta pranojmë moshën në atë moshë që jemi”, tha Halili.
Në bisedë u theksua se estetika nuk lidhet vetëm me bardhësinë e dhëmbëve, por me shëndetin, pastërtinë dhe funksionalitetin e tyre. Një ngjyrë natyrale e dhëmbit nuk e prish domosdoshmërisht estetikën, përderisa dhëmbët janë të kuruar, të pastër dhe funksionalë.
Halili tha se kur kërkohet estetikë, ajo duhet të kërkohet te profesionistët, sepse në të kundërtën, në vend të një rezultati estetik, pacienti mund të marrë një pamje artificiale apo të papërshtatshme për fytyrën e tij.
“Për më tepër, kur kërkohet estetikë, estetika duhet të kërkohet te profesionistët. Sepse në vend se të marrim estetikë, po marrim diçka tjetër”, tha ajo.
Në këtë kontekst, Halili bëri thirrje që pacientët të ndalen para vendimeve të nxituara dhe të kthehen te individualiteti i tyre.
Për më shumë shikoni podcastin e plotë “Shëndeti në rend të parë”:
– YouTube www.youtube.com





