E dënuara me vdekje në SHBA, Christa Pike, është larguar nga spitali dhe është kthyer në burg, 10 ditë pas përpjekjes së dështuar për ekzekutimin e saj me injeksion vdekjeprurës, kanë njoftuar avokatët e saj.
Pike, 50 vjeçe, ndodhet sërish në burgun ku ka kaluar 30 vitet e fundit dhe po vazhdon të marrë kujdes mjekësor, sipas një deklarate të ekipit të saj ligjor të publikuar të shtunën, transmeton Telegrafi.
Më 30 shtator, ajo i mbijetoi dy injeksioneve me pentobarbital, një substancë e përdorur në ekzekutimet me injeksion vdekjeprurës. Pas procedurës së dështuar, Pike u dërgua në spital në gjendje kritike.
Në fillim të kësaj jave, ajo rifitoi vetëdijen dhe nisi të fliste, duke habitur ekspertët, personelin mjekësor dhe avokatët e saj. Rasti i saj konsiderohet i paprecedentë, pasi Pike mendohet të jetë personi i vetëm që ka mbijetuar pas një përpjekjeje për ekzekutim me injeksion vdekjeprurës.
Në deklaratën e tyre, avokatët thanë se Pike ishte “mirënjohëse ndaj ekipeve të para të ndërhyrjes dhe personelit mjekësor për kujdesin e treguar në këto rrethana të jashtëzakonshme”.
Ende nuk dihet se çfarë trajtimi mjekësor po merr ajo pas kthimit në burg. Më herët, avokatët kishin paralajmëruar se e priste një “rrugë e gjatë drejt rikuperimit”.
Departamenti i Korrektimeve i Tenesit nuk ka shpjeguar ende pse ekzekutimi nuk shkoi sipas planit, megjithëse ka mbrojtur metodën e përdorur. Gjatë një seance gjyqësore të mërkurën, ndihmësprokurori i përgjithshëm i shtetit, Will Ayers, tha se nuk e dinte nëse autoritetet synonin të provonin sërish ekzekutimin e Pike.
Gjykatësi urdhëroi autoritetet të ruajnë të gjitha provat që lidhen me injeksionet e dështuara. Këto prova mund të shërbejnë si bazë për një padi të mundshme kundër shtetit.
Pike ishte 18 vjeçe kur, së bashku me të dashurin e atëhershëm, Tadaryl Shipp, rrahu, torturoi dhe vrau 19-vjeçaren Colleen Slemmer. Të rinjtë ishin njohur në një kamp trajnimi për punësim, i cili u shërbente të rinjve nga familje me të ardhura të ulëta.
Shipp iu shmang dënimit me vdekje, pasi në kohën e kryerjes së krimit nuk konsiderohej ligjërisht i rritur. Ai vazhdon të vuajë dënimin me burg.
Pike ishte gruaja e parë në më shumë se 200 vjet që ishte planifikuar të ekzekutohej në shtetin e Tenesit. Avokatët e saj kanë kaluar dekada duke apeluar dënimin, por në ditët para ekzekutimit, si Gjykata e Lartë e SHBA-së, ashtu edhe guvernatori i Tenesit, Bill Lee, refuzuan ta ndalonin atë.
Pas dështimit të ekzekutimit, ekipi ligjor ka ripërtërirë thirrjet që dënimi i saj të zëvendësohet me burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht.
Pas procedurës, Pike humbi vetëdijen dhe u dërgua në një spital lokal. Për disa ditë, avokatët e saj besonin se ajo kishte pësuar vdekje të trurit dhe prisnin që mbështetja për jetën të ndërpritej në çdo moment.
Megjithatë, të martën, ajo u zgjua dhe nisi të fliste përsëri. Avokati i saj, Randy Spivey, tha se fjalët e para të Pike ishin: “Ku jam?” dhe “Kush jeni ju?”.
Në një konferencë për media të mërkurën, avokatët thanë se ajo mbahej e prangosur në shtratin e spitalit, vuante nga pneumonia dhe kishte ënjtje të konsiderueshme në krahë. Sipas tyre, ajo gjithashtu nuk ishte në gjendje të gëlltiste.
“Ne nuk e dimë se çfarë pasojash do të ketë e gjithë kjo”, tha Spivey, duke iu referuar edhe shëndetit mendor të klientes së tij. Ai shtoi se Pike ndihej “e zemëruar dhe e hutuar”. /Telegrafi/






