Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka bërë të ditur suspendimin e gjashtë zyrtarëve policorë pas incidentit të ndodhur më 7 tetor në Shkup.
Pas shqyrtimit të incizimeve, dëshmive dhe kontrolleve nga Kontrolli i Brendshëm, ai theksoi se janë konstatuar parregullsi të rënda në veprimet e punonjësve policorë, ndaj të cilëve ka nisur edhe procedura disiplinore dhe po mblidhen prova për përgjegjësi eventuale penale.
Iseni theksoi se përdorimi i papërgjegjshëm i forcës është i papranueshëm dhe se as uniforma e as funksioni nuk e mbrojnë askënd nga zbatimi i ligjit.
“Uniforma policore është përgjegjësi për të mbrojtur qytetarët. Çdo keqpërdorim i saj cenon dinjitetin e qytetarit, besimin në polici dhe autoritetin e shtetit. Si zëvendësministër i Punëve të Brendshme, qëndrimi im është i prerë: përdorimi i forcës është i papranueshëm dhe çdo shkelje e konstatuar kërkon përgjegjësi. Pas shqyrtimit të incizimeve, deklaratave të dëshmitarëve dhe kontrolleve për ngjarjen e 7 tetorit në Shkup, Kontrolli i Brendshëm ka konstatuar një sërë parregullsish në veprimet e punonjësve policorë. 6 policët do të suspendohen, ndërsa ndaj tyre do të fillojë procedurë disiplinore”, shprehet Iseni.
Ai shton se përgjegjësia nuk përfundon me suspendimin dhe se po veprohet sipas urdhrave të prokurorive kompetente për ekspertizë dhe dokumentimin e plotë të provave, mbi të cilat do të përcaktohet përgjegjësia eventuale penale.
“As uniforma, as funksioni dhe as përkatësia nuk e përjashtojnë askënd nga zbatimi i ligjit. Qytetarët meritojnë siguri, dinjitet dhe një polici që e ushtron autoritetin me profesionalizëm. Besimi në polici mbrohet duke kërkuar përgjegjësi për çdo shkelje. Ky është detyrimi ynë dhe ky është qëndrimi im”, shprehet Iseni./Telegrafi/
Dhuna ndaj dy të rinjve shqiptarë, Iseni: Suspendohen 6 policë
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka bërë të ditur suspendimin e gjashtë zyrtarëve policorë pas incidentit të ndodhur më 7 tetor në Shkup.Pas shqyrtimit të incizimeve, dëshmive dhe kontrolleve nga Kontrolli i Brendshëm, ai theksoi se janë konstatuar parregullsi të rënda në veprimet e punonjësve policorë, ndaj të cilëve ka nisur edhe procedura […]






