Trajneri i Getafes, Jose Bordalas, beson se ylli i Barcelonës, Lamine Yamal, ka potencialin për ta fituar Topin e Artë në të ardhmen.
Pas humbjes 3-0 ndaj Barcelonës në “Spotify Camp Nou”, Bordalas vlerësoi cilësitë e sulmuesit të ri, duke theksuar aftësinë e tij për të bërë diferencën në fushë.
“E dimë të gjithë nivelin e Lamine Yamalit. Ai është fantastik dhe shumë i vështirë për t’u ndalur, pavarësisht masave që merr kundërshtari. Është shumë i mirë në duelet një kundër një, në finalizim dhe në pasime”, deklaroi Bordalas.
Trajneri i Getafes shkoi edhe më tej, duke shprehur bindjen se Yamal mund të arrijë majat e futbollit botëror.
“Ai do të përmirësohet edhe më shumë dhe mund ta fitojë Topin e Artë. Nuk kam asnjë dyshim”, theksoi ai.
Ndërkohë, Bordalas u shpreh i pakënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij, duke kritikuar gabimet individuale që, sipas tij, ia lehtësuan fitoren Barcelonës.
“Pësuam gol që në minutën e parë dhe ia vështirësuam vetes ndeshjen. Edhe goli i dytë ishte dhuratë, ndërsa i treti erdhi pas një gabimi në markim. Kundër një skuadre si Barcelona, detajet bëjnë diferencën”, përfundoi trajneri i Getafes. /Telegrafi/






