Reagime të ashpra nga Kosova, pasi Radoiçiqi shfaqet lirshëm në tubimin e Vuçiqit

Nacionale

Qeveria e Kosovës e ka cilësuar praninë e Milan Radoiçiqit në një tubim zgjedhor të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në Kragujevc si dëshmi tjetër të përfshirjes së shtetit serb në sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023. Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë (REL), Qeveria ka deklaruar se pamjet […]

Madhësia e shkronjave

Qeveria e Kosovës e ka cilësuar praninë e Milan Radoiçiqit në një tubim zgjedhor të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në Kragujevc si dëshmi tjetër të përfshirjes së shtetit serb në sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë (REL), Qeveria ka deklaruar se pamjet e publikuara nga mediat serbe dëshmojnë se sulmi, gjatë të cilit u vra një polic i Kosovës, ishte “planifikuar, financuar dhe organizuar nga shteti i Serbisë”.

Radoiçiqi, ish-nënkryetar i Listës Serbe, e ka pranuar përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë. Ai kërkohet nga autoritetet e Kosovës dhe është nën sanksione të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe për lidhje me krimin e organizuar ndërkombëtar.

Sipas pamjeve të publikuara nga televizioni serb N1, Radoiçiqi u pa më 9 tetor në Kragujevc, pranë Danilo Vuçiqit, djalit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, gjatë një tubimi të SNS-së.

Qeveria e Kosovës ka vlerësuar se këto pamje “do të duhej të ishin alarm për BE-në dhe vendet e tjera perëndimore”, duke theksuar se Serbia nuk po e dorëzon Radoiçiqin për t’u përballur me drejtësinë në Kosovë.

“Milan Radoiçiq jo që nuk dorëzohet tek autoritetet tona nga shteti i Serbisë për të dhënë përgjegjësi para drejtësisë sonë, lëre që nuk ndiqet as nga shteti atje, por madje e shoqëron dhe e siguron djalin e presidentit atje”, thuhet në reagimin e Qeverisë.

Reagime ka pasur edhe nga udhëheqës të tjerë të institucioneve të Kosovës. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të reagojë qartë dhe të ushtrojë trysni konkrete ndaj Serbisë për mosdorëzimin e Radoiçiqit.

Ajo ka theksuar se prania e tij në një tubim të partisë në pushtet në Serbi ngre pikëpyetje për përgjegjësinë politike të autoriteteve serbe dhe për mbrojtjen që, sipas saj, ai gëzon në qarqet e pushtetit.

Haxhiu ka kërkuar që dorëzimi i Radoiçiqit dhe i personave të tjerë të kërkuar për sulmin në Banjskë të shoqërohet me masa konkrete dhe pasoja për Serbinë në rast të mosbashkëpunimit.

Edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar ndaj paraqitjes së Radoiçiqit, duke e lidhur atë me deklaratën e zëvendëskryeministrit serb Ivica Daçiq se “herët a vonë flamuri serb do të valojë në Prizren”.

Konjufca ka vlerësuar se këto zhvillime nuk janë provokime të izoluara dhe ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të kërkojë përgjegjësi nga Serbia.

“Bashkësia ndërkombëtare duhet t’i dënojë pa mëdyshje këto veprime dhe të kërkojë përgjegjësi. Sovraniteti i Republikës së Kosovës nuk është i negociueshëm, dhe as drejtësia për sulmin terrorist në Banjskë”, ka shkruar ai në platformën X.

Kosova ka kërkuar vazhdimisht nga Serbia dorëzimin e Radoiçiqit për t’u përballur me drejtësinë lidhur me sulmin në Banjskë, ndërsa ai vazhdon të qëndrojë i lirë në Serbi./Telegrafi/