Zëri i Shpat Kasapit rikthehet te publiku përmes këngës së re “A je rahat pa mu”, një projekt që mbart një histori të veçantë dhe emocione të forta.
Gati një vit pas ndarjes së parakohshme nga jeta të këngëtarit, bashkëshortja e tij, Selvije Jao, ka vendosur ta publikojë këngën që e kishte ruajtur për muaj të tërë, pasi nuk ndihej ende gati ta ndante me të tjerët.
Përmes një rrëfimi në Instagram, Selvija ka treguar se historia e projektit kishte nisur pak para se Shpati të bëhej pjesë e Big Brother VIP Albania 5, një eksperiencë që ai nuk arriti ta përjetonte.
Sipas saj, këngëtari i kishte dërguar katër versione demo dhe i kishte kërkuar të zgjidhte të preferuarin. Ajo kishte përzgjedhur pikërisht këngën që tashmë është publikuar, ndërsa plani ishte që ajo të lansohej gjatë qëndrimit të Shpatit në shtëpinë e famshme.
Gjithçka ndryshoi pas ndarjes së tij nga jeta, në nëntor të vitit të kaluar. Selvija ka treguar se rreth muajit mars ose prill, kënga i kishte mbërritur e përfunduar nga producenti Anton Prendi. Ajo ka falënderuar gjithashtu Arti Rec dhe Imperial B për kontributin e tyre, duke vlerësuar përkushtimin dhe mbështetjen ndaj Shpatit.
Për muaj të tërë, Selvija kishte zgjedhur ta mbante këngën vetëm për vete, pasi emocionalisht nuk ndihej e gatshme ta ndante me publikun.
Ajo ka treguar se tashmë titulli i saj ka marrë një kuptim krejt tjetër, duke shkruar: “Sot, titulli ‘A je rahat pa mu’ më dhemb më shumë se çdo fjalë tjetër”.
Në fund, Selvija e ka cilësuar publikimin si një amanet të Shpatit, duke shprehur dëshirën që zëri i tij të vazhdojë të jetojë dhe të mos harrohet kurrë.
Kështu, “A je rahat pa mu” vjen jo vetëm si një projekt i ri muzikor, por edhe si një kujtim i veçantë që ruan gjallë zërin dhe kujtimin e këngëtarit të ndjerë. /Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com






