Onkologu Bislimi në podcastin “Shëndeti në rend të parë”: Çdo ndryshim i pazakontë në trup nuk duhet të neglizhohet

shendetesi

Tetori njihet si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, një periudhë që rikthen vëmendjen te rëndësia e informimit, njohjes së faktorëve të rrezikut, simptomave që nuk duhen neglizhuar dhe kontrolleve të rregullta shëndetësore. Për këto tema ka folur Arben Bislimi, onkolog në episodin e 91-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur […]

Madhësia e shkronjave

Tetori njihet si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, një periudhë që rikthen vëmendjen te rëndësia e informimit, njohjes së faktorëve të rrezikut, simptomave që nuk duhen neglizhuar dhe kontrolleve të rregullta shëndetësore.

Për këto tema ka folur Arben Bislimi, onkolog në episodin e 91-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga United Hospital dhe Qendra Laserike e Syrit Kubati.

Në këtë episod u diskutua për kancerin, parandalimin, diagnostikimin e hershëm, trajtimet moderne, rolin e familjes dhe rëndësinë e mbështetjes psikologjike për pacientët.

– YouTube www.youtube.com

Bislimi tha se përballja me një pacient të diagnostikuar me sëmundje malinje është një nga pjesët më sfiduese të profesionit, jo vetëm për shkak të seriozitetit të diagnozës, por edhe për shkak të ngarkesës emocionale që e shoqëron atë.

“Kisha me u drejtu më tepër se sa është e vështirë dhe sa është sfiduese të kemi përpara një pacient që është diagnostikuar me sëmundje malinje, që është diagnostikuar me kancer”, tha ai.

Sipas tij, në vendin tonë ende ka raste kur familjarët kërkojnë që diagnoza të mos i tregohet pacientit, apo e kundërta, çka tregon se kanceri vazhdon të mbetet temë e ndjeshme dhe shpesh tabu.

Duke folur për diagnostikimin e hershëm, Bislimi theksoi se sa më herët të identifikohet sëmundja, aq më të mira janë mundësitë për trajtim dhe menaxhim.

“Sa më herët që e identifikojmë, në stad sa më të mirë, edhe potenciali i trajtimit, i kurimit është më i favorshëm dhe më i mirë”, u shpreh ai.

Onkologu tha se çdo ndryshim i pazakontë në trup nuk duhet të neglizhohet. Në rastin e kancerit të gjirit, ai përmendi ndryshimet në strukturë, prekjen e ndonjë mase apo kokrre, ndryshimet në simetri dhe çdo shenjë që nuk ka qenë më herët.

“Në fakt, çdo ndryshim që e vërejmë në organizmin tonë, diçka që po ndodh e pazakontë dhe të cilën nuk e kemi pas më herët, nuk duhet ta neglizhojmë”, tha Bislimi.

Ai theksoi se gratë duhet të fillojnë me njohjen e trupit të tyre dhe vetëekzaminimin, ndërsa pas moshës 40-vjeçare rekomandohet mamografia si pjesë e skriningut.

“Me rekomandimet janë pas moshës dyzet vjeçare, çdo grua duhet të bëjë mamografi”, tha ai, duke shtuar se kjo nuk do të thotë që duhet pritur medoemos mosha 40 vjeç nëse vërehet një ndryshim më herët.

Për gratë më të reja, Bislimi tha se vetëkontrolli, shikimi në pasqyrë, vëzhgimi i simetrisë dhe ultrazëri janë hapa të rëndësishëm për identifikim më të hershëm.

Sipas tij, ultrazëri është i mirëseardhur në çdo periudhë, ndërsa nëse identifikohet diçka, mund të vazhdohet me procedura të tjera diagnostike si mamografia apo rezonanca magnetike.

Ai foli edhe për sekrecionin nga gjiri, duke sqaruar se nuk është gjithmonë shenjë e kancerit, por nuk duhet injoruar.

“Sekrecioni nga mamilla mund të jetë një sinjal që na çon diku dhe nuk duhet neglizhuar. Jo gjithmonë na orienton se po zhvillohet një kancer apo sëmundje malinje”, tha Bislimi.

Në lidhje me stilin e jetës, Bislimi tha se disa faktorë të rrezikut mund të menaxhohen, përfshirë mbipeshën, mungesën e aktivitetit fizik dhe stresin. Ai theksoi se obeziteti mendohet se rrit rrezikun për sëmundje malinje, në veçanti për kancerin e gjirit, ndërsa aktiviteti fizik lidhet me një mbrojtje më të mirë të organizmit.

Një pjesë e bisedës iu kushtua edhe mitit se pacientët me kancer duhet ta ndalojnë plotësisht sheqerin. Bislimi tha se organizmi ka nevojë për gjithçka, por ushqimi duhet të jetë i balancuar.

“Në fakt, organizmi ka nevojë për të gjitha. Ka nevojë edhe për sheqer, ka nevojë edhe për yndyrën, për gjithçka. Po duhet të jetë i balancuar”, tha ai.

Sipas tij, krijimi i një sëmundjeje malinje është proces kompleks dhe nuk mund të thjeshtohet vetëm te konsumimi apo moskonsumimi i sheqerit.

“Është më komplekse krijimi i një, dëmtimi i një qelize, i një bërthame, krijimi i mutacionit se sa aq e thjeshtë të thuhet se konsumimi apo moskonsumimi i sheqerit mund të favorizojë një sëmundje malinje”, u shpreh ai.

Bislimi foli edhe për trajtimet moderne në onkologji, duke theksuar se sot qasja ndaj pacientit është gjithnjë e më shumë e personalizuar. Ai tha se dy pacientë me diagnozë dhe stad të njëjtë mund të kenë përgjigje të ndryshme në terapi, prandaj trajtimi duhet përshtatur me karakteristikat individuale të pacientit dhe tumorit.

Ai përmendi imunoterapinë, target terapinë dhe terapitë biologjike si trajtime inovative që po bëjnë diferencë dhe kanë përmirësuar rezultatet krahasuar me një dekadë më parë.

Duke folur për trashëgiminë, Bislimi tha se potenciali gjenetik ekziston, sidomos kur bëhet fjalë për vijën e parë të familjes, si nëna apo motra. Në këto raste, sipas tij, masat e kujdesit duhet të jenë më të mëdha, ndërsa testet gjenetike, përfshirë BRCA 1 dhe BRCA 2, mund të japin informata të rëndësishme.

Ai foli edhe për mendimin e gabuar të disa qytetarëve që, nëse ndihen mirë dhe nuk kanë dhimbje, nuk kanë pse të kontrollohen. Sipas tij, kontrolli nuk duhet të lidhet vetëm me dhimbjen, pasi skriningu dhe depistimi synojnë identifikimin e hershëm të sëmundjeve.

Një nga mesazhet më të forta të Bislimit ishte se kanceri nuk duhet të shihet menjëherë si dënim fatal.

Ai tha se kjo tabu duhet të zbutet dhe të rrëzohet, ndërsa pacientët duhet të shikojnë mundësitë e ballafaqimit dhe trajtimit.

“Të mos mendohet menjëherë fataliteti. Mos të mendohet më e keqja, por të shikojmë mundësitë e ballafaqimit”, tha ai.

Ai theksoi se trajtimi i kancerit ka ecur shumë përpara, jo vetëm për kancerin e gjirit, por për sëmundjet malinje në përgjithësi.

Sipas tij, sot mblidhen parametra klinikë, laboratorikë, patologjikë dhe gjenetikë për të krijuar një pasqyrë më të saktë për pacientin dhe mënyrën e trajtimit.

Bislimi shpjegoi edhe imunoterapinë, duke thënë se ajo nuk e lufton drejtpërdrejt tumorin, por nxit mekanizmat imunë të organizmit që të detektojnë dhe të pengojnë zhvillimin e qelizave malinje.

“Nuk është se e luftojmë direkt tumorin përmes imunoterapisë, por përmes nxitjes së këtyre mekanizmave imunë”, tha ai.

Në aspektin emocional, Bislimi tha se mbështetja e familjes është shumë e rëndësishme për pacientët me kancer, por në shumë raste nevojitet edhe mbështetje profesionale nga psikologu.

“Mbështetja e familjes është shumë e rëndësishme”, tha ai, duke shtuar se në shumicën e rasteve pacientët kanë nevojë edhe për mbështetje psikologjike gjatë periudhës së trajtimit.

Në fund, Arben Bislimi dha një mesazh për të gjithë qytetarët: të mos frikësohen nga kontakti me mjekun dhe të mos e neglizhojnë asnjë ndryshim të pazakontë në trup.

“Çdo ndryshim, çdo e pazakontë që vërejmë në organizmin tonë, të kërkohet ndihma e mjekut”, tha ai.

Sipas tij, gjithçka fillon nga njohja e trupit dhe kujdesi për shëndetin.

“Ta njohim trupin tonë fillimisht, pastaj të vazhdojmë më tutje”, përfundoi Bislimi. /Telegrafi/