Sekretari i Përgjithshëm i BDI-së Arbër Ademi sot në konferencë për shtyp ka ngritur pikëpyetje në lidhje me Gjykatën Kushtetuese, gjegjësisht se përgatitet goditje ndaj gjuhës shqipe.
Ai tha se nesër në seancë të Gjykatës Kushtetuese, si pikë e rendit të ditës është edhe Rregullorja për mënyrën e udhëheqjes, formës dhe përmbajtjes së evidencës dhe dokumentacionit pedagogjik në shkollat e mesme, e sjellë nga ministrja e Arsimit dhe e publikuar në Gazetën Zyrtare nr. 32/2026.
Siaps tij, e njëjta është kontestuar nga aspekti kushtetues, respektivisht e njëjta rregullore bie ndesh me Amendamentin 5 të Kushtetutës së RMV-së dhe nenin 17 të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, sepse kjo rregullore në Gazetën Zyrtare është publikuar vetëm në gjuhën maqedonase, edhe përkundër faktit që ekziston obligim ligjor për publikimin e së njëjtës edhe në gjuhën shqipe.
“Amendamenti 5 i Kushtetutës është shumë i qartë, për më tepër, neni 17 i Ligjit për përdorimin e gjuhëve parasheh që të gjitha ligjet, aktet nënligjore, vendimet dhe shpalljet nga ana e institucioneve të cilat botohen në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë, botohen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj dhe në gjuhën shqipe dhe alfabetin e saj. Argumentet juridike nuk përfundojnë këtu”.
“Neni 8, paragrafi 1, i Ligjit për publikimin e ligjeve dhe rregullave të tjera dhe akteve në Gazetën Zyrtare të RMV-së, parasheh që të gjitha ligjet, aktet nënligjore, vendimet dhe shpalljet e të gjitha organeve të pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë së Veriut, taksativisht emëruar këtu edhe Gjykatën Kushtetuese e RMV-së, e që publikohen në „Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut“, publikohen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën shqipe dhe në shkrimin e saj”.
“Rrjedhimisht nga e gjithë kjo, nuk do shumë mend që të kuptojmë se: Kushtetuta si akti më i lartë juridik, Ligji për përdorimin e gjuhëve si ligj special për përdorimin e gjuhëve, si dhe Ligji për publikimin e ligjeve dhe rregullave të tjera dhe akteve në Gazetën Zyrtare të RMV-së, që të gjithë parashohin obligim zyrtar të institucioneve, ex officio, që të gjitha aktet që publikohen në Gazetën Zyrtare të publikohen në dy gjuhë”, tha Ademi.
“A paraqet shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve të lartpërmendura mospublikimi i aktit të kontestuar edhe në gjuhën shqipe, apo kur është fjalë për gjuhën shqipe, e njëjta trajtohet si çështje e kategorisë së dytë dhe irelevante? Çfarë domethënie ka kjo, a po hapet dera që nesër edhe ligjet të publikohen vetëm në gjuhën maqedonase? Pse Gjykata po e ndryshon praktikën e vetë-etabluar gjyqësore kur është fjalë për gjuhën edhe të drejtat e shqiptarëve?”, tha Ademi.






