Ferdinand ka bërë një vlerësim të jashtëzakonshëm për Jude Bellinghamin, duke e krahasuar yllin e Real Madridit me disa prej legjendave më të mëdha të mesfushës në moshën 23-vjeçare.
Duke folur në podcastin “Rio Presents”, ish-mbrojtësi anglez përmendi Steven Gerrardin, Frank Lampardin, Zinedine Zidanen dhe Xavin, duke vënë në pah arritjet e Bellinghamit në këtë moshë.
“Zoti Jude Bellingham, nëse e krahason atë që ka bërë në moshën 23-vjeçare me legjendat e tjera. Steven Gerrard sapo ishte emëruar kapiten i Liverpoolit në moshën 23-vjeçare. Frank Lampard iu bashkua Chelseat gjashtë ditë para se të mbushte 23 vjeç”.
“Zinedine Zidane debutoi me Kombëtaren e Francës në moshën 22-vjeçare, ndërsa Xavi sapo po bëhej një lojtar kyç për Barcelonën dhe nuk e fitoi Ligën e Kampionëve për herë të parë deri në moshën 26-vjeçare”.
“Nuk po them se ai është më i mirë se ndonjëri prej këtyre lojtarëve, sepse është ende herët në karrierën e tij, por në moshën 23-vjeçare, duke e krahasuar me ta në të njëjtën moshë, ai po i tejkalon dukshëm të gjithë”, deklaroi Ferdinand.
Ferdinandi në këtë mënyrë ka vënë në pah ritmin e jashtëzakonshëm të zhvillimit të Bellinghamit, i cili që prej kalimit te Real Madridi është shndërruar në një prej figurave kryesore të klubit dhe futbollit evropian./Telegrafi/






