Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka kërkuar nisjen e hetimeve për veprimet e Policisë së Kosovës gjatë protestës së zhvilluar në Prishtinë, ku qytetarët kërkuan miratimin e ndryshimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Ramadani ka vlerësuar se sjellja e Policisë gjatë protestës ka qenë joproporcionale, ndërsa ka kërkuar që Inspektorati Policor i Kosovës të hetojë veprimet e zyrtarëve policorë.

Ai ka publikuar edhe fotografi të llojit të gazit lotsjellës që, sipas tij, është përdorur nga Policia gjatë ndërhyrjes ndaj protestuesve.
Ramadani ka kërkuar që të shqyrtohet Plani Operativ i Policisë, pajisjet e përdorura dhe niveli i forcës së aplikuar gjatë protestës.
“Duhet ta shohin me detaje Planin Operativ, nëse ka qenë i përgatitur mirë, pajisjet dhe nivelin e forcës së përdorur”, ka shkruar Ramadani.
Ai ka bërë të ditur se, në cilësinë e anëtarit të Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, do të kërkojë raportim urgjent nga drejtori i Policisë për masat e ndërmarra gjatë protestës.
Po ashtu, Ramadani ka thënë se do të kërkojë edhe raportim nga kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës për aktivizimin dhe hetimet lidhur me veprimet e policisë.
“Nëse s’ka tash Parlament, pas zgjedhjeve gjithsesi askush të mos mendojë se i ikën përgjegjësisë! Nuk harrohen gabimet! Nuk mund të falen ato!”, ka deklaruar ai./Telegrafi.





