Kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe protestat për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Rahimaj ka thënë se UÇK-ja është trashëgimi e përbashkët kombëtare dhe se asnjë parti politike nuk duhet ta trajtojë atë si pronë të saj.
“UÇK-ja është lavdia jonë kombëtare. Tri shkronjat e arta janë simbol i sakrificës për liri dhe i një trashëgimie që na bashkon përtej bindjeve politike”, ka shkruar Rahimaj.
Ai ka theksuar se komandantët, luftëtarët, veteranët, invalidët e luftës dhe familjarët e dëshmorëve kanë bindje të ndryshme politike dhe se kontributi i tyre nuk duhet të lidhet me përkatësinë partiake.
Rahimaj ka thënë se e drejta për protestë paqësore duhet të respektohet, por ka kundërshtuar dhunën dhe kërcënimet ndaj institucioneve.
“Dhuna, kërcënimet dhe sulmet ndaj institucioneve janë të papranueshme”, ka shkruar ai, duke shtuar se përgjegjësia për veprime të tilla është individuale dhe nuk duhet t’u atribuohet të gjithë protestuesve.
Ai u ka bërë thirrje PDK-së dhe subjekteve të tjera politike që të distancohen nga dhuna dhe të kontribuojnë në qetësimin e situatës.
Sipas Rahimajt, debatet politike duhet të zhvillohen përmes argumenteve, dialogut dhe votës, ndërsa mbrojtja e vlerave të UÇK-së kërkon përgjegjësi ndaj shtetit për të cilin, siç ka shkruar ai, është sakrifikuar.
Në fund, Rahimaj ka theksuar se UÇK-ja duhet të trajtohet si trashëgimi e përbashkët kombëtare dhe ka bërë thirrje për respekt, dinjitet dhe forcim të institucioneve të Kosovës. /Telegrafi/






