Kuvendi i Kosovës ka miratuar të hënën me 91 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, në lexim të parë, Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Ndryshimet megjithatë nuk parashohin shpërbërjen e Gjykatës Speciale dhe nuk ndalin procedurat e apelit për ish-krerët e UÇK-së të dënuar në shkallën e parë.
Pas votimit, PDK-ja kërkoi që leximi i dytë të zhvillohej po të hënën në orën 17:30.
Kjo u kundërshtua nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila kërkoi fillimisht pajtueshmëri për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se zgjedhja e kreut të shtetit është çështje urgjente. Seanca përfundoi pa u zhvilluar votimi i dytë.

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se partia e saj nuk negocion për ligjin dhe kërkoi që deputetët të rikthehen në Kuvend për ta miratuar atë në lexim të dytë.
Ndërkohë, protesta para Kuvendit, e cila po mbahet prej ditësh në mbështetje të ndryshimeve ligjore, u tensionua gjatë mbrëmjes.
Protestuesit hodhën mjete piroteknike në drejtim të Kuvendit dhe Policisë, ndërsa Policia përdori gaz lotsjellës për t’i shpërndarë turmat. Në disa sheshe të Prishtinës pati përplasje dhe bllokim të rrugëve përreth Kuvendit.
Protestuesit kërkuan që ndryshimet të miratohen edhe në lexim të dytë dhe deklaruan se nuk do të largohen pa përfunduar procesi.
Protesta shumëorëshe pranë Kuvendit ka përfunduar rreth gjysmë ore para mesnatës të hënën.
Policia: Gjashtë zyrtarë të lënduar dhe tre protestues të shoqëruar pas përplasjeve në Prishtinë
Policia e Kosovës ka njoftuar për zhvillimet gjatë protestës së zhvilluar të hënën në mbrëmje pranë institucioneve shtetërore në Prishtinë, ku, sipas saj, janë shënuar incidente dhe përplasje mes protestuesve dhe zyrtarëve policorë.
Sipas Policisë, gjatë protestës disa pjesëmarrës kanë hedhur mjete piroteknike, fishekzjarre dhe mjete të forta në drejtim të objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Për shkak të situatës, Policia thotë se ka ndërhyrë disa herë për të parandaluar përshkallëzimin, duke përdorur pajisjet policore, përfshirë gazin lotsjellës dhe topin e ujit për shpërndarjen e turmës.
“Policia e Kosovës, me qëllim të vënies së situatës nën kontroll dhe parandalimit të eskalimit të mëtejmë të situatës, është detyruar disa herë të veprojë ndaj protestuesve që kanë shfaqur dhunë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Për shkak të situatës së krijuar, në intervale të ndryshme kohore është ndaluar edhe qarkullimi i automjeteve në disa rrugë përreth qendrës së Prishtinës.
Policia ka bërë të ditur se tre persona janë shoqëruar në stacion policor, për shkak të mosrespektimit të thirrjeve për qetësi dhe dyshimeve për veprime në kundërshtim me ligjin.
Një takim mes kryeministrit të Kosovës dhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka përfunduar pa rezultat.
Palët nuk kanë arritur pajtueshmëri për çështjen e ndryshimeve në ligjin për Specialen dhe për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.
LVV kërkon që para se të shkohet me lexim të dytë, Kuvendi ta zgjedhë presidentin e ri të vendit, duke ditur se afati kushtetues për këtë mbaron nesër më 6 tetor.
PDK-ja ngul këmbë që, fillimisht, të kalojnë ndryshimet në këtë ligj dhe pastaj të zgjidhetNë anën tjetër, çështja e presidentit mbetet e lidhur me afatin kushtetues të 6 tetorit. Nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin deri atëherë, pritet shpërndarja e Kuvendit dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja.
Kryetari i Partisë Guxo, Faton Peci, i ka bërë thirrje Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për reflektim dhe angazhim të përbashkët, me qëllim të tejkalimit të situatës aktuale politike.
Peci, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kanë mbetur vetëm 24 orë për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
“Duke parë ngjarjet aktuale dhe duke pasur parasysh se kemi vetëm edhe 24 orë për ta zgjedhur Presidentin/-en e Kosovës, si Kryetar i Partisë Guxo i bëj thirrje LDK-së për reflektim e angazhim të përbashkët me qëllim të tejkalimit të kësaj situate”, ka shkruar Peci.
Sipas tij, zgjedhja e presidentit do të kontribuonte në kompletimin e institucioneve të larta të vendit dhe në krijimin e stabilitetit institucional./Telegrafi/





