Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka deklaruar se pas zhvillimeve të 16 shtatorit, çështja kryesore për të dhe partinë e tij është miratimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Në një konferencë për media, Tahiri ka thënë se qytetarët janë të bashkuar dhe se çështja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk duhet të shfrytëzohet për pazare politike apo shkëmbim votash.
“Populli është i bashkuar dhe unifikuar. Për neve pas 16 shtatorit është ligji. Jo pazaret. Jo me na thanë: votoma presidentin, ta votoj ligjin”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka theksuar se, sipas tij, UÇK-ja i përket të gjithëve dhe se kjo ka qenë qasja e PDK-së.
“UÇK është e të gjithëve. Na këtë frymë e kemi pas gjithë. Manovrat dhe lojërat na kanë sjellë në këtë gjendje”, është shprehur deputeti i PDK-së.






