Willian ka zbuluar se kishte menduar të largohej nga Arsenali vetëm tre muaj pasi iu bashkua klubit, duke pretenduar se Mikel Arteta nuk i kishte përmbushur premtimet që ia kishte bërë para transferimit.
Ish-futbollisti brazilian ka treguar se Arteta i kishte premtuar një rol qendror në skuadër dhe se ekipi do të ndërtohej rreth tij.
Megjithatë, Willian thotë se shumë shpejt e kuptoi se realiteti ishte ndryshe nga ajo që i ishte thënë para transferimit.
“Unë nuk kam asgjë kundër tij. Ai është një trajner i madh brenda fushës dhe idetë e tij janë të shkëlqyera, por i mungonin disa gjëra sa i përket mënyrës së menaxhimit të ekipit”, ka thënë Willian në “The Obi One Podcast”.
Braziliani theksoi se, sipas tij, Artetës i mungonte aspekti njerëzor në menaxhimin e lojtarëve.
“Pjesa njerëzore i mungonte. Është diçka e rëndësishme. Brenda fushës ai është i mirë. Gjithmonë bëj shaka duke thënë se më shitën një ëndërr, por nuk ishte një ëndërr e mirë”, u shpreh ai.
Willian iu bashkua Arsenalit në verën e vitit 2020, pas largimit nga Chelsea, por aventura e tij në “Emirates” zgjati vetëm një sezon.
Ai zhvilloi 37 paraqitje për klubin londinez, duke shënuar vetëm një gol, përpara se të largohej me marrëveshje të dyanshme në vitin 2021.
Duke folur për arsyen që e bindi të kalonte nga pjesa perëndimore në atë veriore të Londrës, Willian zbuloi edhe fjalët që Arteta i kishte thënë para transferimit.
“Arteta më tha: ‘Ne do të luajmë në këtë mënyrë dhe unë dua që ti të jesh lojtari kryesor. Do ta ndërtoj ekipin rreth teje dhe dua të të jap çelësin e klubit’”, rrëfeu braziliani.
“Kur e dëgjova këtë, sigurisht që e doja Chelsean, por isha në vitin e fundit të kontratës, isha 32 vjeç dhe po mendoja për tri vite të tjera në Londër. Familja ime e donte Londrën, kështu që vendosa të qëndroja në qytet dhe të transferohesha te Arsenali”, përfundoi Willian. /Telegrafi/






