Fillon procesi për Çmimin Nobel 2026: Kush do ta fitojë çmimin në mjekësi?

Bota

Sezoni i Çmimeve Nobel për vitin 2026 nis sot në Stokholm, ku Instituti Karolinska do të shpallë fituesin e Çmimit Nobel për Fiziologji ose Mjekësi. Emrat e kandidatëve mbahen sekret dhe Komiteti Nobel nuk ka dhënë asnjë të dhënë për favoritët. Shpallja pritet të bëhet jo më herët se ora 11:10, sipas kohës së Evropës […]

Madhësia e shkronjave

Sezoni i Çmimeve Nobel për vitin 2026 nis sot në Stokholm, ku Instituti Karolinska do të shpallë fituesin e Çmimit Nobel për Fiziologji ose Mjekësi.

Emrat e kandidatëve mbahen sekret dhe Komiteti Nobel nuk ka dhënë asnjë të dhënë për favoritët. Shpallja pritet të bëhet jo më herët se ora 11:10, sipas kohës së Evropës Qendrore, transmeton Telegrafi.

Çmimi i vitit të kaluar iu dha shkencëtarëve amerikanë Mary E. Brunkow dhe Fred Ramsdell, si dhe japonezit Shimon Sakaguchi, për zbulimet e tyre mbi tolerancën imune periferike – mekanizmi që ndihmon në parandalimin e sulmit të sistemit imunitar ndaj vetë organizmit.

Instituti Karolinska i vlerësoi zbulimet si të rëndësishme për kuptimin e sëmundjeve autoimune, përfshirë diabetin e tipit 1, artritin reumatoid dhe lupusin.

Çmimi Nobel për Fiziologji ose Mjekësi është dhënë 116 herë nga viti 1901 deri në vitin 2025, duke nderuar gjithsej 232 laureatë.

Pas Mjekësisë, të martën do të shpallet Nobeli për Fizikë, të mërkurën ai për Kimi dhe të enjten Çmimi për Letërsi. Të premten do të shpallet Çmimi Nobel për Paqe, ndërsa Çmimi i Bankës së Suedisë në Shkencat Ekonomike në kujtim të Alfred Nobelit do të bëhet i ditur më 12 tetor.

Vlera e çmimit këtë vit është 12 milionë korona suedeze, rreth 1.09 milionë euro, pavarësisht nëse çmimi i jepet një individi, një grupi të vogël apo një organizate.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet më 10 dhjetor, në përvjetorin e vdekjes së Alfred Nobelit, industrialistit suedez dhe shpikësit të dinamitit, i cili themeloi çmimet Nobel. Nobeli vdiq në vitin 1896. /Telegrafi/