Interesimi për aftësi të reja në Data Science dhe Inteligjencë Artificiale po rritet, ndërsa programet që lidhen drejtpërdrejt me kërkesat e tregut të punës po tërheqin gjithnjë e më shumë aplikantë.
Këtë e dëshmon edhe interesimi për trajnimin e licencuar nga CNM Ingenuity për Data Science, të cilin Makerspace Innovation Center në Prizren tani po e ofron me mbështetjen e projektit Matching Skills to Jobs – MSJ. Për vetëm 20 vende janë pranuar mbi 130 aplikime.
Në episodin e podcastit “Gati për Tregun e Punës”, moderatorja Fiona Xhema Troshupa ka bashkëbiseduar me Arbër Kryeziun, i cili ka folur për interesimin e madh për programin dhe për atë që ka bërë më së shumti përshtypje gjatë procesit të përzgjedhjes.

Sipas Kryeziut, interesimi i lartë ka konfirmuar se nevoja për aftësim në këtë fushë ka qenë e pranishme, ndërsa ajo që ka munguar ka qenë oferta e duhur.
“Na ka dëshmu që kërkesa e tregut është, veçse ka mungu oferta”, tha ai.
Një tjetër element që ka spikatur ka qenë interesimi i madh i vajzave. Grupi aktual përbëhet nga 50 për qind vajza dhe 50 për qind djem, një rezultat që Kryeziu e vlerësoi si shumë pozitiv, sidomos në fusha teknologjike dhe STEM ku përfaqësimi i balancuar vazhdon të jetë një temë e rëndësishme.
Programi synon t’i pajisë pjesëmarrësit me njohuri praktike në analizimin dhe përdorimin e të dhënave, duke i afruar më shumë me kërkesat reale të tregut të punës.
“Matching Skills to Jobs” është projekt i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe i implementuar nga Swisscontact.
Përmes bashkëpunimeve me kompani dhe organizata vendore, projekti mbështet iniciativa që afrojnë zhvillimin e aftësive me kërkesat e bizneseve dhe të tregut të punës. /Telegrafi/





