Thuaje me zë të ulët, por Amerika mund të jetë duke e fituar luftën me Iranin

opinion

Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se mbase zhvillimet po fillojnë të anojnë në favor të të mirëve. Është një rregull i hekurt i gazetarisë se luftërat shpërthejnë në titujt kryesorë botërorë, qëndrojnë aty për njëfarë kohe dhe më pas zbehen në sfond sapo lexuesit mësohen me to. Mendojeni si parim të një “normaliteti të ri”; pasi […]

Madhësia e shkronjave

Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se mbase zhvillimet po fillojnë të anojnë në favor të të mirëve.

Është një rregull i hekurt i gazetarisë se luftërat shpërthejnë në titujt kryesorë botërorë, qëndrojnë aty për njëfarë kohe dhe më pas zbehen në sfond sapo lexuesit mësohen me to.

Mendojeni si parim të një “normaliteti të ri”; pasi kalon tronditja, audienca përshtatet me një sfond më të zymtë dhe i kthehet jetës së vet. Që nga ai çast, vetëm tronditjet e rëndësishme ua tërheqin sërish vëmendjen. (Përjashtimi i vetëm është gjithçka që përfshin Izraelin, i cili është obsesion patologjik.)

Kështu, lexuesve shpesh u mbetet përshtypja e një konflikti të ngrirë në vend, pa e ditur se ngërçi po ndryshon në terren. Kjo na çon te Ngushtica e Hormuzit, ku prej muajsh armada e Donald Trumpit është mbërthyer në një konfrontim ekonomiko-ushtarake me Iranin. Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se zhvillimet mbase po fillojnë të anojnë në favor të të mirëve.

Duke folur të enjten me gazetarë në Shtëpinë e Bardhë, Trumpit iu kërkua të thoshte nëse tentativa e penguar për rrëmbimin e aeroplanit të Flydubai-t, të mërkurën, kishte ndonjë lidhje me Iranin. “Do të thosha se përgjigjja, bazuar në atë që po dëgjoj, është ‘po’, por po merremi që tani me këtë”, tha ai.

Po nëse dyshimet konfirmohen? “Oh, do të goditen shumë rëndë, mos u shqetësoni”, tha Trumpi. “Thjesht, pyetini ata. Ata e dinë çfarë ndodhi. Do të goditen shumë rëndë”. Sigurisht, jemi mësuar me një retorikë të tillë bombastike nga presidenti – pretendimi i tij i fundit se po mendonte “t’i zhdukte” mezi shkaktoi ndonjë jehonë në lajme – por, këtë herë, ai mund ta mendojë seriozisht këtë.

Javët e fundit kanë sjellë një shtim të qetë, por të vazhdueshëm, të forcave amerikane në rajon. Një aeroplanmbajtëse e tretë, USS Theodore Roosevelt, u nis nga San Diego javën e kaluar së bashku me Grupin Goditës të Aeroplanmbajtëses 9 [Carrier Strike Group 9], duke lundruar për t’iu bashkuar Komandës Qendrore të ShBA-së në Lindjen e Mesme.

Së bashku me USS George HW Bush dhe USS George Washington, që ndodhen tashmë në skenë, kjo përbën një fuqi të frikshme ushtarake. Përveç kësaj, grupi amfib USS Makin Island – ku përfshihen anijet zbarkuese USS John P Murtha dhe USS Anchorage – po dislokohet krahas tij, duke transportuar më shumë se 2 000 marinsa të Njësisë së 13-të Ekspedicionare të Marinës [13th Marine Expeditionary Unit]. Në total, 9 000 ushtarakë të tjerë janë rrugës.

Është e vërtetë se problemi i Uashingtonit ka qenë prej kohësh i tillë që vetëm me forcë nuk zgjidhet. Epërsia dërrmuese ushtarake e Amerikës nuk është vënë në dyshim, megjithatë Teherani mbetet i gatshëm të durojë goditjet dhe ka dinakërinë për të shënjestruar poshtë brezit të butë të ekonomisë globale. Shtatë muaj pas fillimit të këtij konflikti, pyetja vendimtare mbetet se si do të shndërrohet fuqia e zjarrit amerikan në rezultate.

Dallimi është se përgjigjja që Trumpi i dha më në fund mbylljes së Hormuzit nga Ajatollahu – t’ia shkëpuste tiranit kontrollin, ndërkohë që vendoste vetë një shtrëngim mbytës – po jep dalëngadalë fryte. Teksa marina amerikane është bërë më e aftë në zmbrapsjen e sulmeve iraniane, më shumë cisterna ndërkombëtare kanë kaluar përmes Ngushticës. Sipas sistemit të gjurmimit Kpler, dërgesat përmes Hormuzit dhe rrugëve që e anashkalojnë atë kanë arritur pothuajse në 80 përqind të flukseve të paraluftës.

Muajin e kaluar, eksportet e naftës bruto nga Lindja e Mesme u rikthyen në nivelin e tyre më të lartë që nga fillimi i luftimeve, me pothuajse 13 milionë fuçi në ditë nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Iraku dhe vende të tjera që arritën në treg, krahasuar me 19 milionë në shkurt.

Naftësjellësi Lindje-Perëndim i Arabisë Saudite, i cili u dëmtua në një sulm me dron muajin e kaluar, po rikthehet me vështirësi në funksion, me sasi të reduktuara që po arrijnë në Detin e Kuq, ku nafta ngarkohet në cisterna dhe eksportohet.

Në kontrast të thellë, Teherani nuk ka mundur të kalojë asnjë sasi nafte bruto përmes Hormuzit qëkur ShBA-ja vendosi bllokadën e saj detare në korrik. Vlerësimet e Kpler-it sugjerojnë se rezervat iraniane mund të shterojnë brenda dy javësh, duke e tredhur një ekonomi që tashmë po përkulet nën peshën e sanksioneve dhe kostos së luftës.

Historia do ta dënojë Trumpin që nuk arriti të hartonte më herët një strategji për Hormuzin. Para bllokadës amerikane, Teherani po siguronte më shumë të ardhura ditore nga nafta gjatë luftës sesa kishte siguruar para saj. Kjo, së bashku me vendimin jashtëzakonisht të keq të Trumpit – nën presionin e udhëheqësit islamist të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan – për ta anuluar në çastin e fundit një pushtim tokësor kurd, ia mohoi atij fitoren e vet.

Megjithatë, pasi zgjedhjet e ndërmjetme të nëntorit të kenë kaluar, me ekonominë e Iranit në gjendje të mjerueshme dhe fuqinë amerikane të dyfishuar, Trumpi mund ta ketë manovruar veten në një pozitë më dominuese në këtë përplasje gjeopolitike të forcës.

Rezervat e raketave interceptuese në rajon janë të pakta. Teherani, i mbështetur për muri, mund ta përshkallëzojë situatën në mënyra të papritura, përfshirë përmes terrorizmit në territorin perëndimor; huthët mbeten të papërmbajtur në brigjet e Ngushticës Bab el-Mandeb – një tjetër pikë e ngushtë strategjike; dhe, pa forca tokësore, si dhe me lëvizjen opozitare që ende po përpiqet të marrë veten nga dhjetëra mijëra të vdekur, pamja e një fitoreje amerikane mbetet e paqartë. Megjithatë, çfarëdo forme që mund të marrë ajo, është më afër sesa ishte më parë. /Telegrafi/