Përzgjedhësi i Shqipërisë, Rolando Maran, e ka cilësuar të pamerituar humbjen 2-1 ndaj Finlandës, duke vlerësuar se kuqezinjtë zhvilluan një paraqitje të mirë edhe pse luajtën me një lojtar më pak për pjesën më të madhe të ndeshjes.
Maran theksoi se deri në momentin e golit të Finlandës, Shqipëria ishte skuadra dominuese në fushë, ndërsa sipas tij edhe pas barazimit kuqezinjtë krijuan më shumë raste shënimi.
“Deri te goli i tyre u pa një skuadër e vetme në fushë. Por edhe pas golit, kam shkuar të shoh rastet dhe patëm më shumë raste ne. Nuk i lejuam të gjuanin asnjëherë në portë”, deklaroi Maran pas ndeshjes.
“Për fat të keq ndëshkohemi me dy goditje dënimi dhe marrim gol me to dhe penalizohemi shumë. Duke parë edhe indeksin e rrezikshmërisë, është e bujshme të humbësh një ndeshje të tillë”, shtoi ai.
Maran u shpreh se kjo paraqitje duhet t’u japë më shumë forcë kuqezinjve për ndeshjet e ardhshme, pasi, sipas tij, skuadra tregoi karakter edhe pas mbetjes me dhjetë lojtarë.
“Edhe pse luajtëm me 10, kemi bërë një ndeshje të madhe dhe meritonim absolutisht një rezultat pozitiv. Rezultati penalizon, por ajo që dua është të shoh ekipin përtej episodeve, që del në fushë dhe bën paraqitje të tilla. Nëse bëjmë paraqitje të tilla, nuk kemi pse të shqetësohemi”, tha Maran.
Përzgjedhësi i Shqipërisë nuk e fshehu zhgënjimin për rezultatin, duke thënë se skuadra kishte dashur t’i gëzonte tifozët që e ndjekin përfaqësuesen.
“Më vjen keq, e deshëm për tifozët që na kanë ndjekur, ata që e duan Kombëtaren. E patë në fushë, për fat të keq ndonjë episod, zgjedhje e gjyqtarit që për mua nuk është vlerësuar siç duhej, penalizon. Por mbetet kjo paraqitje, duhet të mbajmë gjërat e mira dhe të rinisemi menjëherë”, përfundoi ai.
Maran foli edhe për zëvendësimin e Arbër Hoxhës, duke sqaruar se në atë moment çdo zgjedhje do të ishte e vështirë, pasi të gjithë lojtarët po jepnin kontribut.
“Hoxha nuk e meritoi, por ishte zgjedhja e diktuar nga ndeshja. Kishim nevojë për Rein që mbante topin, Muçi na organizonte lojën. Duheshin bërë zgjedhje. Pastaj bëmë mirë. Ndeshja na dha të drejtë se pastaj bëmë një ndeshje të madhe”, deklaroi Maran./Maran nuk pajtohet me humbjen e Shqipërisë: “Meritonim absolutisht një rezultat pozitiv”/






