Christa Pike, e dënuara me vdekje në Tennessee të SHBA-së, ndodhet në gjendje kritike, pa vetëdije dhe e lidhur me respirator, pasi i mbijetoi një përpjekjeje për ekzekutim me injeksion vdekjeprurës.
Pike, 50 vjeçe, iu administruan dy doza të pentobarbitalit më 30 shtator, por ekzekutimi nuk përfundoi, shkruan bbc.
Ajo u transportua me ambulancë në një spital në Nashville, ku mjekët po përpiqen ta stabilizojnë dhe të largojnë ilaçin nga organizmi i saj.
Avokatët e saj kanë deklaruar në një kërkesë urgjente në gjykatë se të dy krahët e Pike ishin të enjtur, të djegur dhe me flluska pas administrimit të ilaçit.
Sipas tyre, problemet me vendosjen e linjave intravenoze mund të kenë bërë që pentobarbitali të depërtonte në indet përreth, në vend se të hynte plotësisht në qarkullimin e gjakut.
Dëshmitarët e ekzekutimit thanë se Pike vazhdonte të merrte frymë edhe pas dy dozave. Ata raportuan se ajo mund të dëgjohej duke qarë, duke marrë frymë me vështirësi dhe duke gërhitur.
Avokatët e saj pretendojnë se ekipi i ekzekutimit nuk e kuptoi se linjat intravenoze nuk ishin vendosur siç duhet.
Departamenti i Korrigjimeve i Tennessee-së ka deklaruar se procedura u zhvillua sipas protokollit shtetëror. Guvernatori Bill Lee ka urdhëruar një hetim të pavarur dhe ka pezulluar ekzekutimet e tjera të planifikuara për pjesën e mbetur të vitit.
Pike ishte dënuar me vdekje për vrasjen e 19-vjeçares Colleen Slemmer në vitin 1995. Ajo ishte 18 vjeçe në kohën e krimit. Nëse ekzekutimi do të kishte përfunduar, Pike do të ishte gruaja e parë e ekzekutuar në Tennessee në më shumë se 200 vjet.
Avokatët e Pike tani kërkojnë që të ruhen të gjitha provat lidhur me ekzekutimin dhe kanë bërë thirrje që dënimi me vdekje t’i zëvendësohet me burgim të përjetshëm. /Telegrafi/






