Policia në Dibër ka finalizuar operacionin e koduar “Kërcënimi”, duke arrestuar një 21-vjeçar, i dyshuar se kishte vendosur një kuti të dyshimtë në një karburant dhe kishte kërcënuar se do ta shpërthente atë nëse nuk paguhej shuma prej 50 mijë eurosh.
Ngjarja është zbardhur brenda pak orësh nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe shërbimet Operacionale në DVP Dibër.
Sipas Policisë, më 2 tetor 2026, rreth orës 14:30, i dyshuari E. K., 21 vjeç, kishte vendosur në ambientet e një karburanti në pronësi të shtetasit Z. Sh. një kuti të dyshimtë, mbi të cilën ndodheshin një ekran, pjesë elektronike dhe tela, duke krijuar dyshimin se bëhej fjalë për një pajisje shpërthyese të telekomanduar.

Mbi kuti ishte vendosur edhe një letër kërcënuese, përmes së cilës kërkohej pagesa e 50 mijë eurove, e cilësuar si “gjobë”.
Sipas Policisë, pagesa kërkohej të kryhej në kriptomonedha, përmes një pike këmbimi të kriptomonedhave dhe në adresën e përcaktuar nga autori.
Në letër, autori kërcënonte se kutia do të shpërthente nëse pagesa nuk kryhej brenda afatit të caktuar, nëse ajo do të lëvizte ose nëse do të njoftohej Policia apo persona të tjerë.
Ai pretendonte gjithashtu se kutia përmbante lëndë plasëse C4, ishte e pajisur me sensorë lëvizjeje dhe sistem telekomandimi, ndërsa ambienti monitorohej me kamera.
Pas mbërritjes së forcave speciale xheniere të RENEA-s, u krye hapja dhe kontrolli i kutisë, ku rezultoi se nuk kishte lëndë shpërthyese.
Falë reagimit të menjëhershëm dhe hetimit intensiv, Policia bëri të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin në flagrancë të 21-vjeçarit, i dyshuar për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë Dibër për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/





