Protestuesit e iniciativës “Jo në emrin tim” kanë realizuar sot një aksion para Ministrisë së Drejtësisë, ku kanë vendosur një baner me mbishkrimin “Voto Ligjin”, duke kërkuar procedimin dhe miratimin e ligjit për mbrojtjen e UÇK-së.
Pas aksionit, aktivisti dhe protestuesi Rron Kafegjolli tha se qytetarët prej 17 ditësh po kërkojnë miratimin e këtij ligji dhe se vonesat janë të papranueshme.

“Jemi këtu sot, para Ministrisë së Drejtësisë, sepse koha e arsyetimeve ka skaduar”, deklaroi ai.
Kafegjolli tha se, sipas deklarimeve të kryeministrit Albin Kurti, ligji po mbahet i bllokuar në Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Financave.
“Ky nuk është një udhëzim çfarëdo që mund ta kaloni lart e poshtë nëpër zyre! Sepse bëhet fjalë për ligjin që mbron të vërtetën e UÇK-së, dhe ne nuk do të lejojmë zvarritjen e tij”, u shpreh ai.
Ai kritikoi ministren Gërvalla dhe ministrin Murati, duke kërkuar që institucionet të veprojnë në përputhje me kërkesat e qytetarëve.
“Institucionet e këtij shteti nuk mund të mbeten peng i inateve apo bindjeve personale të ministres Gërvalla dhe ministrit Murati. Shteti nuk është pronë private e dikujt!”, tha Kafegjolli.
Duke përmendur afrimin e 6 tetorit, ai i bëri thirrje Qeverisë të mos e zvarrisë më tej ligjin. /Telegrafi/





