Milicia Houthi e Jemenit, e mbështetur nga Irani, kreu një sulm me dron ndaj një stacioni të shpërndarjes së energjisë elektrike në qytetin e shenjtë të Medinës në fillim të kësaj jave, njoftoi të enjten koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite.
Zëdhënësi i koalicionit, gjeneral-brigade Turki al-Maliki, tha se Houthit vunë në shënjestër stacionin e shpërndarjes së energjisë “Taibah” të martën, duke dëmtuar një transformator dhe duke e nxjerrë atë jashtë funksionit.
Sulmi nuk shkaktoi ndërprerje në rrjetin më të gjerë elektrik, theksoi ai.
Dhe koalicioni deklaroi se hetimet dhe ekzaminimi i mbetjeve të dronit konfirmuan se Houthit ishin përgjegjës për sulmin.
Ai bëri të ditur se stacioni ishte ndër objektet që ofronin shërbime elektrike për Xhaminë e Profetit në Medinë, një nga vendet më të shenjta të Islamit.
Koalicioni akuzoi Houthit se po përpiqen qëllimisht të provokojnë ndjenjat e miliona myslimanëve në mbarë botën duke vënë në shënjestër vende që lidhen me dy xhamitë më të shenjta të Islamit.
Ai tha se do të vazhdojë të marrë masa për të penguar Houthit dhe për të garantuar mbrojtjen e vendeve të shenjta.
Njoftimi vjen në një kohë tensionesh të shtuara midis Arabisë Saudite dhe Houthi-ve, të cilët kanë nisur sulme të reja kundër Mbretërisë gjatë javëve të fundit.
Në fillim të këtij muaji, Mbreti Salman dënoi ato që i përshkroi si përpjekje të përsëritura të Houthi-ve për të shkelur shenjtërinë e vendeve të shenjta islame, pasi autoritetet saudite njoftuan se milicia ishte përpjekur të vinte në shënjestër Mekën.
Gjithashtu, Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, deklaroi të mërkurën në fjalimin e tij vjetor para Këshillit Shura se Mbretëria nuk do të hezitonte të përgjigjej “në mënyrë vendimtare” ndaj kërcënimeve ose sulmeve kundër sigurisë së saj, duke theksuar njëkohësisht përpjekjet e Riadit për të ulur tensionet rajonale dhe për të ndjekur zgjidhje diplomatike. /Telegrafi/






