“Iu prezantuan si Taulant Balla dhe i kërkuan 100 mijë euro”, mësohen detajet e reja si dy të rinj tentuan ta mashtrojnë Armand Dukën

Sport

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me rastin ku dy të rinj dyshohet se i kërkuan 100 mijë euro presidentit të FSHF-së, Armand Duka, duke u prezantuar si deputeti Taulant Balla. Edison Korra dhe Orest Balla dyshohet se kanë kontaktuar Dukën përmes aplikacionit “Sinjal”, duke përdorur emrin e Taulant Ballës dhe duke i […]

Madhësia e shkronjave

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me rastin ku dy të rinj dyshohet se i kërkuan 100 mijë euro presidentit të FSHF-së, Armand Duka, duke u prezantuar si deputeti Taulant Balla.

Edison Korra dhe Orest Balla dyshohet se kanë kontaktuar Dukën përmes aplikacionit “Sinjal”, duke përdorur emrin e Taulant Ballës dhe duke i kërkuar fillimisht shumën në kriptomonedha.

Duka dyshoi se bëhej fjalë për një skemë mashtrimi dhe njoftoi policinë. Pas kësaj, autoritetet ndërhynë për të dokumentuar rastin dhe organizuan dorëzimin e parave përmes agjentëve të infiltruar.

Fillimisht, dy të rinjtë kërkuan që shuma të dorëzohej në kriptomonedha, por më pas u dakordësua që pagesa të bëhej në euro. Dorëzimi i parave u organizua në Elbasan, aty ku jetonin dy të arrestuarit, ndërsa ata u kapën në flagrancë.

Një detaj tjetër i bërë publik është se Orest Balla, 23 vjeç, rezulton i regjistruar si futbollist në FSHF. Megjithatë, ai prej vitesh ka hequr dorë nga futbolli i luajtur.

Gjatë komunikimit me personat që e kontaktonin, Duka u ka thënë që të lidheshin me djalin e tij, pasi nuk merrej me çështjet e kriptomonedhave. Në këtë pikë, policia përdori një agjent të infiltruar, i cili u prezantua si djali i presidentit të FSHF-së.

Agjenti u komunikoi dy të rinjve se nuk i kishte paratë në kriptovalutë, por se mund t’ua sillte shumën “kash”. Kështu u arrit te momenti i dorëzimit të parave, ku policia ndërhyri dhe bëri arrestimin në flagrancë.

Pas arrestimit, dy të rinjtë nuk kanë dhënë, sipas raportimeve, deklarime të hollësishme për policinë lidhur me personat që mund të fshihen pas tyre.

Dyshimet e hetuesve, sipas të dhënave të bëra publike, janë përqendruar te Florian Gjergji, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të skemës vijojnë./Telegrafi/