Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi investime prej rreth 200 miliardë dollarësh nga Koreja e Jugut në projekte energjetike në SHBA, përfshirë projektin e gazit natyror të lëngshëm Alaska LNG.
Trump tha se të dyja vendet do të nisin bashkëpunimin për projektin me vlerë rreth 50 miliardë dollarë, por Seuli sqaroi se ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për investimin.
Presidenti koreanojugor Lee Jae Myung tha se çdo angazhim do të varet nga leverdishmëria ekonomike dhe procedurat ligjore.

Në marrëveshje përfshihet edhe një termocentral me gaz në Teksas, me vlerë 22.3 miliardë dollarë.
Impianti do të ketë kapacitet prej 6,472 megavatësh dhe do të furnizojë me energji qendrat e të dhënave në zonë.
Ai pritet të përfundojë deri në vitin 2032.
Trump njoftoi gjithashtu një program bërthamor prej 120 miliardë dollarësh për ndërtimin e tetë reaktorëve në SHBA, por edhe ky projekt do të varet nga leverdishmëria e tyre.
Ndërkohë, projekti Alaska LNG do të përfshijë një tubacion rreth 1,300 kilometra të gjatë, që do të transportojë gazin nga veriu i Alaskës drejt një impianti për eksport në Azi.
Zgjerimi i infrastrukturës energjetike amerikane përballet megjithatë me mungesë të punëtorëve të kualifikuar.
Një raport vlerëson se SHBA-ja do të ketë nevojë për rreth 1.7 milion punëtorë të kualifikuar deri në vitin 2035. /Telegrafi/





