Pas kthimit në Izrael, pasagjeri i Flydubai, Yaniv Hayoun, i tregoi kryeministrit Benjamin Netanyahu se si ndërhyri gjatë incidentit në aeroplan.
Hayoun mbërriti në takim me rrobat ende të mbuluara me gjak.
Kryeministri izraelit e përqafoi dhe i tha “ti je një hero”.
Sipas Hayoun, gjithçka nisi kur u fikën dritat dhe ndryshoi presioni në kabinë. Ai dhe një tjetër pasagjer, i cili më vonë rezultoi të ishte pilot i kompanisë jashtë detyrës, tentuan të hapnin derën e kabinës.

Kapiteni Smit Machchhar ishte rrëzuar pranë derës, por kishte arritur ta zhbllokonte atë para se të humbiste ndjenjat.
Pasagjerët hynë në kabinë dhe Hayoun pa një pilot në dysheme dhe bashkëpilotin mbi komandat e avionit.
Hayoun tha se e kapi bashkëpilotin nga qafa dhe e tërhoqi jashtë kabinës. Kur Netanyahu e pyeti se çfarë po bënte ai me komandat, Hayoun u përgjigj: “Mendoj se po përpiqej t’i shkatërronte”.
Më pas, Hayoun kapi komandat dhe i tërhoqi për ta stabilizuar aeroplanin.
“Ti i tërhoqe komandat?”, e pyeti Netanyahu me habi.
Aeroplani u stabilizua dhe piloti që ishte jashtë detyrës mori kontrollin.
Gjatë bisedës, Netanyahu tha: “Pa ty, mund të kishte qenë një tjetër 11 Shtator”.
Hayoun u përgjigj: “Sipas mendimit tim, ky ishte qëllimi”.
Netanyahu e falënderoi për ndërhyrjen dhe tha se ai kishte bërë atë që duhej në një moment kritik. /Telegrafi/





