25 vjet më parë: kur Zvicra e humbi kompaninë ajrore Swissair

Bota

Një rrëfim mbi historinë e kompanisë më të rëndësishme ajrore të Zvicrës, falimentimin e saj spektakolar dhe disa të dhëna mbi fluturimin e parë të Swissair nga Zürichu në Tiranë – më 4 gusht 1986! Një hajgare zvicerane tingëllon kështu: «Ende ekziston Swissair, vetëm se i ka dalë ajri». Kjo shaka i referohet kompanisë së […]

Madhësia e shkronjave

Një rrëfim mbi historinë e kompanisë më të rëndësishme ajrore të Zvicrës, falimentimin e saj spektakolar dhe disa të dhëna mbi fluturimin e parë të Swissair nga Zürichu në Tiranë – më 4 gusht 1986!

Një hajgare zvicerane tingëllon kështu: «Ende ekziston Swissair, vetëm se i ka dalë ajri». Kjo shaka i referohet kompanisë së famshme ajrore Swissair, e cila falimentoi 25 vjet më parë, më 2 tetor 2001. Tash ekziston vetëm Swiss (pa «air»), por Swiss nuk është më kompani zvicerane; ajo i përket Lufthansës gjermane. Për krenarinë dhe patriotizmin zviceran kjo ishte një goditje e rëndë.

Në orën 16:15 të 2 tetorit 2001 u dëgjua nga altoparlantët e aeroportit të Zürichut njoftimi që do të hynte në librat e historisë: «Zonja dhe zotërinj, të nderuar pasagjerë. Për arsye financiare, Swissair nuk është më në gjendje të kryejë fluturimet e saj».

Ky ishte falimentimi më i madh dhe më spektakolar në historinë e ekonomisë zvicerane pas Luftës së Dytë Botërore.

Katastrofa erdhi stuhishëm. Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në SHBA, ra dukshëm interesimi për të fluturuar. Borxhet e kompanisë u rritën, ndërsa paralelisht dështuan planet e Swissair për t’u zgjeruar. Më 1 tetor 2001, ndërmarrja amë SAirGroup kërkoi mbrojtje nga falimentimi. Por të nesërmen bankat refuzuan të transferonin fondet e nevojshme për funksionimin e kompanisë. Brenda pak orësh Swissair-it i mbaroi likuiditeti. Dhe kështu erdhi 2 tetori. Rreth 19’000 pasagjerë mbetën të bllokuar në Zürich dhe nëpër botë.

Që atëherë fjala «grounding» ka hyrë në fjalorin e nocioneve ekonomike të Zvicrës. Falimentimi i Swissair ishte një debakël i shkaktuar nga menaxherët e kompanisë, elitat bankare dhe politike. Një rrjet i lidhur nëpërmjet interesave të ngushta dhe përfitimeve të llojllojshme, ku hynin edhe fluturimet falas. Në Zvicër këtij lloj sistemi i thonë «Filz», një stof i lidhur me fije. Kjo është një fjalë përkëdhelëse për keqmenaxhim dhe përfitime shpesh të paligjshme. Në shqip i thonë thjesht: korrupsion dhe nepotizëm.

Më 2001 qeveria zvicerane refuzoi ta mbështeste financiarisht Swissair. Nëntëmbëdhjetë vjet më vonë, gjatë pandemisë, Swiss dhe Edelweiss, ndonëse në pronësi të Lufthansës gjermane, morën garanci financiare nga qeveria zvicerane në vlerë prej 1,3 miliardë frangash.

Swissair ishte simbol i precizitetit zviceran, i shërbimit dhe i nivelit të lartë. Për nga reputacioni publik, piloti i Swissair ishte gati po aq i rëndësishëm sa një ministër në Bernë. Swissair e lidhte Zvicrën me botën. Në vitin 2001, pak para katastrofës, Swissair kryente fluturime nga Zürichu në 61 vende të botës – madje edhe në Teheran. Kishte një rrjet të dendur në drejtim të Afrikës.

Interesante është edhe kjo e dhënë: Swissair ishte kompania e parë perëndimore që nisi fluturimet nga Zürichu në Tiranë. Ndodhi kjo më 4 gusht 1986.

Në fund të nëntorit, ndërsa Swissair po sillte pasagjerët e parë nga Perëndimi në Shqipërinë komuniste, gazeta sovjetike «Pravda» bënte thirrje për normalizimin e raporteve mes Moskës dhe Tiranës. Mungesën e kontakteve gazeta e quante një gjendje të panatyrshme.

Më parë, në muajin maj, kishte ardhur në Tiranë për vizitë kryeministri i landit të Bavarisë, Franz Josef Strauss. Ishte vizita e dytë e tij në kuadër të përpjekjeve për ta orientuar Shqipërinë drejt Perëndimit. Pa sukses. Kokat komuniste prej betoni që sundonin në Tiranë ende besonin se Shqipëria ishte parajsë, ndërsa njerëzit vuanin për bukë.

Për herë të parë Strauss vizitoi Tiranën si turist privat më 1984, në të gjallë të diktatorit Enver Hoxha. Strauss do të dëshironte një takim me Hoxhën, por paranojaku komunist nuk qe i gatshëm. Gjermani nga Bavaria, i cili kishte shumë qejf të luante rol edhe në politikën e jashtme, takoi zëvendëskryeministrin Manush Myftiu.

Strauss ishte dashamirës ndaj Shqipërisë. «Ndonëse ju njoh vetëm prej një ore, juve shqiptarëve ju zë besë», i tha ai aparatçikut mosbesues Manush Myftiu. Tirana nuk kishte ambicie të mëdha politike në atë kohë. Ia përmendi gjermanit nevojën për makineri bujqësore dhe autobusë të dalë jashtë përdorimit. Sapo u kthye në Gjermani, Strauss iu drejtua Ministrisë për Ndihma Zhvillimore, e cila menjëherë ndau gjashtë milionë marka. Për këtë ka raportuar vite më parë revista «Der Spiegel».

Swissair, Strauss, «Pravda»: më 1986 Shqipëria ishte në fokus të interesave të ndryshme. Me Swissair kanë udhëtuar nga Zürichu për në Tiranë edhe shqiptarët e Kosovës që jetonin në Zvicër në vitet 1980-të, mes tyre disa aktivistë të Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe familjet e tyre. Ata që kanë qenë fëmijë më 1988, edhe sot i kujtojnë këto fluturime drejt Tiranës, ku partia kujdesej që “vëllezërit kosovarë” të shihnin vetëm “anët e ndritshme” të Shqipërisë.

Swissair ishte «banka fluturuese» e Zvicrës. Më 2 tetor 2001 kjo banë u varros. Ajo vjeshtë ka hyrë në historinë e Zvicrës si «vjeshta e zezë». Sulmet e 11 shtatorit shkaktuan një tronditje të thellë në tregjet globale dhe paralizuan aviacionin civil botëror për ditë me radhë. Për Zvicrën, kjo goditje solli rënien e menjëhershme të kërkesës për fluturime ndërkombëtare dhe përshpejtoi kolapsin financiar të kompanive të aviacionit.

Pak ditë para se të fundosej Swissair, më 27 shtator 2001, një burrë i armatosur rëndë hyri në sallën e parlamentit kantonal në Zug. Brenda pak minutash ai qëlloi 90 herë, duke vrarë 14 politikanë – tre anëtarë të qeverisë kantonale dhe njëmbëdhjetë deputetë. Plagosi rëndë 18 të tjerë. Në fund vrau veten. Kjo ngjarje theu imazhin e Zvicrës si një oazë e pacenueshme e paqes.

Më 24 tetor 2001 pasoi tragjedia e radhës. Në tunelin e Gotthardit – një nga arteriet kryesore që lidh veriun e Evropës me jugun përmes Alpeve – u përplasën dy kamionë, duke shkaktuar një shpërthim dhe një ferr flakësh, ku temperaturat arritën deri në 1200 gradë Celsius. Nga zjarri dhe tymi humbën jetën 11 persona. Tuneli pësoi dëmtime të rënda dhe mbeti i mbyllur për dy muaj.

Një muaj më vonë, më 24 nëntor 2001, Zvicra u trondit nga tragjedia e radhës. Gjatë një stuhie bore, një avion i linjës rajonale Crossair, fluturimi LX 3597 nga Berlini në Zürich, u rrëzua në një pyll afër aeroportit të Zürichut – vetëm pak minuta para aterrimit. Nga 33 personat në bord, 24 humbën jetën, përfshirë këngëtaren e njohur të muzikës pop Melanie Thornton.

Ka shumë fotografi nga ajo vjeshtë që përçojnë një simbolikë të fuqishme. Njëra prej tyre tregon pilotin e Swissair Daniel Riediker në plazhin Copacabana në Rio de Janeiro të Brazilit: me pantallona të shkurtra, kapelë piloti dhe këmishë me mëngë të shkurtra. Ai shikon në horizont.