Protestat e nxënësve në Francë janë përshkallëzuar, me 625 persona të ndaluar dhe të paktën 83 policë e xhandarë të plagosur vetëm gjatë së mërkurës.
Protestat, të nisura javën e kaluar në rajonin Île-de-France rreth Parisit, tashmë janë përhapur në qytete të tjera të vendit. Nxënësit kanë bllokuar hyrjet e shkollave të mesme, ndërsa në disa raste protestat kanë degjeneruar në përplasje me forcat e sigurisë.
Ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, tha se 625 persona u ndaluan gjatë bllokadave të shkollave dhe denoncoi atë që e përshkroi si “përshkallëzim të dhunës”.
Sipas tij, protestat prekën gjithsej 356 shkolla, ndërsa forcat e rendit u përballën me hedhje objektesh, akte dhune, fyerje, tentativa për zjarrvënie dhe incidente të tjera.
Nga ana tjetër, ministri i Arsimit, Edouard Geffray, tha se që nga fillimi i protestave janë plagosur 119 nxënës dhe punonjës të arsimit, transmeton Telegrafi.
Në qendër të protestave janë një sërë pakënaqësish për kushtet në shkolla, përfshirë oraret e gjata mësimore, numrin e madh të nxënësve në klasa, mungesën e mësuesve dhe temperaturat e larta në klasa gjatë valëve të të nxehtit.
Situata është tensionuar veçanërisht në Paris, Bordeaux, Lyon dhe Lille, ku policia është përballur me protestuesit dhe në disa raste ka përdorur gaz lotsjellës.
“Është e domosdoshme që nxënësit të mund të kthehen në klasa, veçanërisht ata që aktualisht pengohen ta bëjnë këtë”, tha Geffray.
Nga Madridi, presidenti francez Emmanuel Macron kritikoi politikanët e së majtës radikale, të cilët i akuzoi se po “legjitimojnë dhunën”.
Por protestuesit thonë se kërkesat e tyre lidhen kryesisht me kushtet e shkollimit. Një nxënës nga shkolla e mesme Montbello në Lille tha se ata po protestojnë për të drejtat e tyre, duke kundërshtuar oraret që, sipas tij, zgjasin nga ora 08:00 deri në 18:00.
Ndërsa protestat vazhdojnë të përhapen, autoritetet franceze po përballen me presion për të rikthyer normalitetin në shkolla, ndërsa tensionet mes nxënësve dhe forcave të sigurisë mbeten të larta.






