Forcat amerikane pritet të tërhiqen nga bazat e tyre të fundit në Irak, duke lënë pas vendin ku humbën jetën 4,500 nga bashkëluftëtarët e tyre gjatë më shumë se 20 viteve luftë.
Dhe largimi i trupave amerikane do të kremtohet si fitore nga Irani dhe aleatët e tij, të cilët tashmë gëzojnë ndikim të madh në këtë vend, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Ekspertët irakianë të sigurisë kanë paralajmëruar se tërheqja mund t’u japë Teheranit dhe aleatëve të tij dorë të lirë, duke rritur njëkohësisht rrezikun e një rikthimi të grupit terrorist “Shteti Islamik”.
Ky vendim u arrit në vitin 2024 nën presidencën e Joe Biden dhe u zbatua nga administrata e presidentit Donald Trump, edhe pse kjo e fundit po zhvillon luftë kundër Iranit.
“Irani do të përfitojë në aspektin strategjik nga largimi i koalicionit, sepse kjo eliminon një prani ushtarake që për vite me radhë shërbente si kundërpeshë ndaj ndikimit të Teheranit në Irak”, ka thënë Jasim al-Bahadli, një analist irakian i sigurisë.
Ai paralajmëroi se milicitë pro-iraniane jo vetëm që do ta paraqisnin largimin si fitore për lëvizjen e tyre, por edhe do të “përpiqeshin ta shndërronin atë vrull në një ndikim më të madh mbi sigurinë dhe vendimmarrjen politike”.
Forcat e koalicionit hynë në Irak në vitin 2003 dhe luftuan kundër një kryengritjeje shumëvjeçare, përpara se të tërhiqeshin në vitin 2011.
Trupat amerikane u rikthyen më pak se tre vjet më vonë për të ndihmuar forcat irakiane të mposhtnin ISIS-in në një luftë të madhe që zgjati nga viti 2014 deri në 2017.
Ndonëse largimi përfundimtar i forcave amerikane gëzon mbështetje të gjerë mes irakianëve, disa prej tyre druhen se ky hap është i parakohshëm.
“Ne besojmë se Iraku ende nuk është plotësisht gati për të marrë përsipër përgjegjësinë e sigurisë në këtë moment”, mendon Abdulrahman al-Zobaie, një udhëheqës fisnor sunit në Falluxhah, qytet që dikur ishte bastion i rezistencës anti-amerikane.
“Të gjithë irakianët aspirojnë për sovranitet të plotë dhe askush nuk e kundërshton këtë. Por besoj se largimi (i koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja) në këtë mënyrë dhe krijimi i një vakumi është ajo që i frikëson të gjithë irakianët”. /Telegrafi/






