Shënohet përvjetori i Intifadës së Al-Aksasë, u bëhet thirrje arabëve e myslimanëve të mbështesin palestinezët

Bota

Grupi Hamas ka shënuar të hënën 26-vjetorin e Intifadës së Al-Aksasë dhe u bëri thirrje arabëve, myslimanëve dhe mbështetësve në mbarë botën që të përkrahin popullin palestinez në rimarrjen e të drejtave të tij. “Busulla jonë do të mbetet e orientuar fort drejt çlirimit të tokës dhe vendeve të shenjta; ne i bëjmë thirrje kombit […]

Madhësia e shkronjave

Grupi Hamas ka shënuar të hënën 26-vjetorin e Intifadës së Al-Aksasë dhe u bëri thirrje arabëve, myslimanëve dhe mbështetësve në mbarë botën që të përkrahin popullin palestinez në rimarrjen e të drejtave të tij.

“Busulla jonë do të mbetet e orientuar fort drejt çlirimit të tokës dhe vendeve të shenjta; ne i bëjmë thirrje kombit tonë dhe njerëzve të lirë anembanë botës të mbështesin luftën dhe qëndresën e popullit tonë derisa ata të sigurojnë të drejtat e tyre legjitime”, ka thënë Hamasi në një deklaratë me rastin e përvjetorit të intifadës, e cila shpërtheu më 28 shtator 2000.

Grupi deklaroi se përvjetori i këtij viti vjen në një kohë të një “përshkallëzimi të paprecedentë” nga ana e Izraelit kundër palestinezëve dhe vendeve të shenjta, përfshirë Xhaminë Al-Aksa në Jerusalemin Lindor të pushtuar.

“Kjo është shoqëruar me mbrojtjen izraelite për pushtuesit ekstremistë dhe me përpjekjet për ta judaizuar Al-Aksanë, për ta përdhosur dhe për t’i fshirë tiparet e saj, si dhe për të avancuar planet e aneksimit dhe shpërnguljes”, thuhej në deklaratë.

“Masat izraelite nuk do të kenë sukses në shuarjen e flakës së rezistencës apo në dobësimin e vendosmërisë dhe vullnetit të popullit palestinez”, ka thënë më tej Hamas.

Ai përsëriti se palestinezët “nuk do të heqin dorë nga toka, të drejtat, parimet kombëtare apo vendet e shenjta të tyre”, duke shtuar se planet e qeverisë izraelite “janë të destinuara të dështojnë”.

Grupi bëri thirrje për një marrëveshje palestineze mbi një strategji të unifikuar, të mbështetur nga përkrahja e vazhdueshme arabe, myslimane dhe ndërkombëtare, si dhe nga një “partneritet efektiv” i mbështetësve në mbarë botën.

Ai u bëri thirrje vendeve arabe e myslimane dhe mbështetësve në mbarë botën që të ndërmarrin veprime politike, diplomatike, mediatike dhe popullore për të mbështetur palestinezët dhe për të kundërshtuar masat që synojnë Xhaminë Al-Aksa.

Më 28 shtator 2000, lideri i atëhershëm i opozitës izraelite, Ariel Sharon, hyri në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Jerusalemin Lindor të pushtuar nën masa të rrepta sigurie; ky ishte një veprim që ndezi Intifadën e Al-Aksasë.