Një zjarrfikëse nga Florida ka hyrë në Guinness si gruaja më e shkurtër që ushtron këtë profesion, me një gjatësi prej vetëm 1.35 metrash.
Kelso ka 5 vjet që punon si zjarrfikëse në St. Pete Beach, Florida.
Ajo tregoi se rekordi nisi si një shaka mes kolegëve. “Nuk u bëra zjarrfikëse duke menduar se një ditë do të përfundoja duke vendosur një rekord. Një nga kolegët e kërkoi në internet dhe kuptoi se mund të aplikoja”, tha Kelso për Guinness World Records.

Pavarësisht gjatësisë, ajo kryen të njëjtat detyra si kolegët e saj: hyn në ndërtesa që digjen, transporton pajisje të rënda dhe përballet me kushte ekstreme.
Madje, Kelso thotë se shtatlartësia e saj e vogël mund të jetë një avantazh në disa situata, si kalimi përmes dritareve ose hyrja në hapësira të ngushta.
“E bëj punën siç duhet. Shumë nga djemtë këtu më quajnë merimangë, sepse ngjitem kudo ku është e nevojshme”, tha ajo.
Kelso u bëri thirrje edhe të tjerëve të mos lejojnë gjatësinë apo mendimet e njerëzve të tjerë t’i përcaktojnë kufijtë e tyre.
“Mos kini frikë të rrezikoni. Mos lejoni të tjerët të përcaktojnë kufijtë tuaj. Puna si zjarrfikës është e vështirë për këdo, si fizikisht ashtu edhe mendërisht”, u shpreh ajo.
Rekordin për zjarrfikësin mashkull më të shkurtër e mban Vince Brasco, me një gjatësi prej rreth 1.27 metrash.





