Liga e Kombeve, Austri – Kosovë: Gjithçka që po ndodh në Vjenë, minutë pas minute

Sport

Kosova sonte rikthehet në aksion në Ligën e Kombeve, ku në Vjenë do të përballet me Austrinë në një ndeshje që pritet të sjellë një tjetër sfidë të rëndësishme për Dardanët. Pas fitores 1-0 ndaj Irlandës, skuadra e Franco Fodës synon të vazhdojë me rezultat pozitiv edhe në transfertë, përballë një Austriaje që gjithashtu e […]

Madhësia e shkronjave

Kosova sonte rikthehet në aksion në Ligën e Kombeve, ku në Vjenë do të përballet me Austrinë në një ndeshje që pritet të sjellë një tjetër sfidë të rëndësishme për Dardanët.

Pas fitores 1-0 ndaj Irlandës, skuadra e Franco Fodës synon të vazhdojë me rezultat pozitiv edhe në transfertë, përballë një Austriaje që gjithashtu e nisi këtë edicion me fitore.

Ndeshja në Ernst-Happel-Stadion sjell përballë dy përfaqësuese me objektiva të qarta, ndërsa në stol do të jetë edhe një histori interesante: Franco Foda dhe Ralf Rangnick.

Nga atmosfera në stadium, formacionet, zhvillimet para dhe gjatë ndeshjes, deri te deklaratat dhe analizat pas vërshëllimës së fundit, Telegrafi do t’ju mbajë të informuar për gjithçka nga Austria.

Në Vjenë ndodhen gazetari Shkumbin Pireva dhe kameramani Koran Basha, të cilët do të sjellin raportimet, intervistat dhe pamjet më të rëndësishme nga kjo përballje.

A post shared by Telegrafi Sport (@telegrafisport)

Në orët e vona të natës, tifozët e Kosovës kanë pushtuar rrugët e Vjenës, duke krijuar atmosferë festive me këngë e brohoritje.

Me flamuj në duar dhe këngë patriotike, Dardanët kanë sjellë ngjyrat e Kosovës në kryeqytetin austriak – pamjet flasin vetë.

Austria dhe Kosova kanë diferencë në renditjen botërore të FIFA-s. Austria renditet në vendin e 23-të, ndërsa Kosova në pozitën e 78-të, me një diferencë prej 55 vendesh.

Përballja e sontme në Vjenë do të jetë edhe një mundësi për Dardanët që ta vazhdojnë serinë e rezultateve pozitive.

Austria dhe Kosova vijnë në përballjen e sontme pas fitoreve në ndeshjet e para të Ligës së Kombeve.

Austria ka gjashtë fitore, dy barazime dhe dy humbje në 10 ndeshjet e fundit, ndërsa edhe Kosova ka gjashtë fitore, dy barazime dhe dy humbje.

Austria mposhti Izraelin 3-1, ndërsa Kosova fitoi 1-0 ndaj Irlandës në ndeshjet e fundit.

Austria dhe Kosova përballen sonte nga ora 18:00 në Vjenë, ndërsa dallimi mes tyre shihet edhe në vlerën e skuadrave.

Sipas Transfermarkt, Austria vlerësohet në 245.20 milionë euro, ndërsa Kosova në 147.80 milionë euro.

Lojtari më i shtrenjtë i Austrisë është Konrad Laimer me 32 milionë euro, ndërsa te Kosova prin Fisnik Asllani me 35 milionë euro.

Austri–Kosovë nuk është vetëm një përballje mes dy kombëtareve që synojnë të vazhdojnë me fitore në Ligën e Kombeve. Në stolin e dy skuadrave do të jenë dy trajnerë që njihen prej rreth tri dekadash, por që për herë të parë do të gjenden përballë njëri-tjetrit si kundërshtarë.

Franco Foda dhe Ralf Rangnick e kanë njohur njëri-tjetrin që nga vitet ’90, në kohën kur të dy ishin të lidhur me futbollin gjerman.

Foda, atëherë futbollist i Stuttgartit, ishte duke u rikuperuar nga një lëndim, ndërsa Rangnick ishte i përfshirë në punën e rehabilitimit pranë klubit.

Kosova të dielën përballet me Austrinë në Vjenë, në kuadër të Ligës së Kombeve, me Franco Fodën që në listën e tij ka përfshirë edhe tre futbollistë që aktualisht luajnë në kampionatin austriak.

Dion Kacuri i Austria Lustenau, Valmir Matoshi i Sturm Grazit dhe Vesel Demaku i SCR Altach janë tre emrat që mund t’i japin Fodës një njohje shtesë me futbollin austriak, por edhe me kundërshtarin që Kosova do ta ketë përballë.

A post shared by Telegrafi Sport (@telegrafisport)

Mërgim Vojvoda thotë se Kosova është gati për ta dëshmuar kualitetin ndaj Austrisë.

Ylli i Udineses ndër të tjera në konferencë për shtyp pranoi se austriakët janë favorit, mirëpo beson se “Dardanët” do të kenë rastin për t’i marrë pikët e plota.

“Gjendja është e mirë. I gjithë ekipi është në dispozicion dhe presim që të jemi gati për ndeshjen e nesërme”.

A post shared by Telegrafi Sport (@telegrafisport)

Franco Foda e ka pranuar se Kombëtarja e Austrisë është favorite për përballjen e neserme, por shtoi se Kosova ka kryer të gjitha detyrat.

Tekniku gjerman pret një numër të madh të tifozëve kosovarë në stadium, ndërsa është i sigurt se do ta zhvillojnë një ndeshje të shkëlqyer.

Në konferencë për media, Foda i kujtoi Austrisë se çfarë ndeshje ka zhvilluar Kosova si mysafir së fundmi.

A post shared by Telegrafi Sport (@telegrafisport)

Lojtarët e Kosovës kanë dalë në fushën e “Ernst Happel Stadionit” për të parë nga afër terrenin, pak orë para ndeshjes me Austrinë.

Dardanët nuk zhvilluan stërvitje, por vetëm kontrolluan fushën, pasi në ditën e ndeshjes, kur luajnë si mysafirë, zakonisht bëjnë një vizitë të shkurtër në terren në vend të seancës stërvitore.

Përzgjedhësi i Austrisë Ralf Rangnick thotë se sfida ndaj Kosovës do të jetë më e vështirë se ndaj Izraelit.

Austria e nisi me fitore edicionin e Ligës së Kombeve, për të realizuar dy gola të vonshëm në triumfin 3-1 ndaj Izraelit.

Për mediat austriake, Rangnick ka thënë se pret një sfidë më të vështirë ndaj Kosovës, si dhe lavdëroi “Dardanët” për mënyrën taktike të lojës.

Kombëtarja e Kosovës është ngritur një pozitë në renditjen e përgjithshme të FIFA-s pas fitores ndaj Irlandës.

“Dardanët” morën tre pikë të rëndësishme në “Fadil Vokrri”, ku mposhtën Irlandën, sfidë që e dominuan në të gjitha aspektet pavarësisht që epilogu përfundimtar rezultoi të jetë 1-0.

Masa të shtuara sigurie do të zbatohen të dielën në Vjenë, në prag të ndeshjes së Ligës së Kombeve mes Austrisë dhe Kosovës, që zhvillohet në stadiumin “Ernst Happel”.

Sipas mediumit austriak 5 Minuten, Drejtoria e Policisë së Vjenës ka vendosur krijimin e një zone të gjerë sigurie rreth stadiumit, e cila do të jetë në fuqi nga ora 10:00 deri në 22:00.

Për tifozët priten kontrolle të rrepta, ndaj autoritetet u bëjnë thirrje të lënë kohë shtesë për hyrjen në stadium.

Vesel Demaku ka lindur dhe është rritur në Austri, por kur erdhi momenti për të zgjedhur se cilën kombëtare do ta përfaqësonte, mesfushori vendosi të refuzojë Austrinë dhe të veshë fanellën e Kosovës.

Në një intervistë për mediumin austriak Der Standard, Demaku ka rrëfyer për herë të parë me detaje peshën që kishte kjo zgjedhje për të, duke theksuar se për të nuk bëhej fjalë vetëm për futboll, por edhe për historinë e familjes dhe identitetin e tij.

“Absolutisht. Mendoj se pasi të kesh qenë atje dhe të kesh njohur njerëzit – është shumë më tepër se kaq. Jam bërë edhe më i vetëdijshëm për këtë që kur luajta ndeshjet e mia të para ndërkombëtare. Është shumë më tepër sesa thjesht sport”, ka thënë Demaku, duke folur për lidhjen e tij me Kosovën.

Austria mund të përballet me Kosovën të dielën pa një prej lojtarëve që kishte mbajtur shiritin e kapitenit në ndeshjen e fundit.

Michael Gregoritsch nuk ka pësuar lëndim serioz në përballjen ndaj Izraelit, por gjendja e tij mbetet në pikëpyetje për sfidën ndaj “Dardanëve”, e cila zhvillohet të dielën nga ora 18:00 në Vjenë.

Sulmuesi austriak pësoi një lëndim në nyjën e këmbës gjatë fitores 3-1 ndaj Izraelit në Linz dhe u detyrua ta lërë fushën që në pjesën e parë. Në vend të tij u aktivizua Sasha Kalajdzic.

Federata Austriake e Futbollit ka konfirmuar për agjencinë e lajmeve APA se lëndimi nuk është serioz. Gregoritsch iu nënshtrua edhe rezonancës magnetike të premten për të vlerësuar gjendjen e tij.

Austria e nisi me fitore aventurën e re në Ligën e Kombeve, por Ralf Rangnick nuk dëshiron që skuadra e tij të ndalet këtu.

Pas triumfit 3-1 ndaj Izraelit, përzgjedhësi austriak tashmë e ka kthyer vëmendjen te Kosova dhe përballja e së dielës në Vjenë.

“Duam që fitores ndaj Izraelit t’ia bashkojmë edhe fitoren ndaj Kosovës”, ka deklaruar Rangnick.

Sulmuesi i Kosovës, Ermal Krasniqi, ka folur për faqen zyrtare të FFK-së pas fitores 1-0 ndaj Irlandës, duke vlerësuar paraqitjen e “Dardanëve” dhe duke komentuar edhe sfidën e radhës ndaj Austrisë.

Krasniqi theksoi se Kosova e kishte të vështirë të gjente golin në pjesën e parë, pasi Irlanda ishte e tërhequr në mbrojtje, por sipas tij, skuadra krijoi raste dhe e meritoi fitoren.

Milot Rashica ka folur për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), pas fitores 1-0 ndaj Irlandës në ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve.

Rashica e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme nisjen e kampanjës me fitore, veçanërisht pasi ndeshja e parë u zhvillua në shtëpi.

Për Nicolas Seiwald, ndeshja e së dielës nuk do të jetë thjesht një tjetër përballje e Austrisë në Ligën e Kombeve. Në anën tjetër do të jetë një përzgjedhës që kishte rol të rëndësishëm në fillimet e tij me Kombëtaren austriake.

Bëhet fjalë për Franco Fodan, ish-përzgjedhësin e Austrisë dhe përzgjedhësin aktual të Kosovës, me të cilin Seiwald kishte debutuar me përfaqësuesen austriake rreth pesë vjet më parë.

“Dardanët” zhvilluan me 25 shtator seancën stërvitore të parë për ndeshjen me Austrinë, me përzgjedhësin Franco Foda që kishte në dispozicion 16 futbollistë.

Ndërkohë, 11-shja që e nisi nga minuta e parë ndaj Irlandës zhvilloi një seancë rigjeneruese në hotel.

Kosova dhe Austria nuk janë përballur asnjëherë më parë në futbollin e kombëtareve A, ndaj sfida e sontme në Vjenë do të jetë takimi i parë në historinë mes dy përfaqësueseve.

Përballja e parë mes tyre zhvillohet nga ora 18:00 në Ernst-Happel-Stadion, ndërsa ndeshja e kthimit do të luhet më 4 tetor në Prishtinë.

Kosova vjen në përballjen me Austrinë pas fitores 1-0 ndaj Irlandës, falë golit të Vedat Muriqit në minutën e 83-të.

Në anën tjetër, Austria e nisi Ligën e Kombeve me fitore 3-1 ndaj Izraelit, me golat e Romano Schmid (43’), Phillipp Mwene (90’) dhe Saša Kalajdžić (90+3’).

A post shared by Telegrafi Sport (@telegrafisport)

Ndeshja Austri–Kosovë zhvillohet sonte nga ora 18:00 në Ernst-Happel-Stadion në Vjenë, stadiumi më i madh në Austri.

Stadiumi, i cili ka një kapacitet prej rreth 50 mijë ulësesh, pritet të jetë i mbushur për këtë përballje të Ligës së Kombeve.

Ernst-Happel-Stadion është një prej impianteve më ikonike të futbollit austriak dhe ka pritur ndër vite ndeshje të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë finalen e Euro 2008.