Austri–Kosovë nuk është vetëm një përballje mes dy kombëtareve që synojnë të vazhdojnë me fitore në Ligën e Kombeve. Në stolin e dy skuadrave do të jenë dy trajnerë që njihen prej rreth tri dekadash, por që për herë të parë do të gjenden përballë njëri-tjetrit si kundërshtarë.
Franco Foda dhe Ralf Rangnick e kanë njohur njëri-tjetrin që nga vitet ’90, në kohën kur të dy ishin të lidhur me futbollin gjerman. Foda, atëherë futbollist i Stuttgartit, ishte duke u rikuperuar nga një lëndim, ndërsa Rangnick ishte i përfshirë në punën e rehabilitimit pranë klubit.

Rangnick kishte punuar me Fodën gjatë periudhës së rikuperimit dhe, siç ka treguar vetë trajneri i Kosovës, marrëdhënia mes tyre ka vazhduar edhe shumë vite më pas. Kur Foda ishte përzgjedhës i Austrisë dhe Rangnick drejtonte Leipzigun, të dy kishin kontakte profesionale dhe diskutonin edhe për futbollistë.
Por të dielën në Vjenë, historia do të marrë një tjetër dimension. Foda do të jetë në stolin e Kosovës, ndërsa Rangnick në atë të Austrisë. Për herë të parë, dy njerëz që kanë ndarë një histori të gjatë profesionale do të përballen drejtpërdrejt në një ndeshje.
Në këtë takim ka edhe një tjetër detaj interesant: Foda ka qenë përzgjedhës i Austrisë para se Rangnick të merrte drejtimin e përfaqësueses austriake.
Tani, Foda rikthehet në Austri si kundërshtar, këtë herë për të udhëhequr Kosovën ndaj ekipit që Rangnick e drejton prej vitit 2022.
Tri dekada njohje, kontakte profesionale dhe respekt i ndërsjellë, por asnjë përballje si trajnerë. Kjo do të ndryshojë në Vjenë, ku Foda dhe Rangnick do të jenë përballë njëri-tjetrit në një duel që i jep ndeshjes Austri–Kosovë edhe një histori të veçantë jashtë fushës. /Telegrafi/





