Përzgjedhësi i ri i Shqipërisë, Rolando Maran, e ka nisur me fitore aventurën në stolin kuqezi, teksa Shqipëria mposhti 2-0 Bjellorusinë në “Air Albania”, në ndeshjen e parë të kampanjës së re në Ligën e Kombeve.
Kuqezinjtë e zgjidhën ndeshjen që në pjesën e parë, me Kristjan Asllanin që shënoi nga pika e bardhë në minutën e 34-t, ndërsa Ernest Muçi realizoi për 2-0 në minutat shtesë të pjesës së parë.
Pas ndeshjes, Maran nuk e fshehu kënaqësinë për mënyrën se si skuadra e zbatoi planin e lojës dhe reagoi në fushë.
“Nuk mund të kishte një fillim më të mbarë se ky. Jam jashtëzakonisht i lumtur me atë që djemtë dhanë në fushën e lojës. Kemi punuar shumë gjatë këtyre ditëve dhe të shohësh këtë lloj impenjimi dhe reagimi është fantastike”, ka deklaruar Maran.
Trajneri italian vlerësoi veçanërisht paraqitjen e përgjithshme të skuadrës, duke theksuar se fitorja ishte e merituar.
“E dominuam lojën dhe fitorja është plotësisht e merituar. Ky është hapi i parë drejt asaj që duam të ndërtojmë”, u shpreh ai.
Megjithatë, Maran kërkoi që skuadra të mos ndalet me këtë sukses, duke bërë thirrje për vazhdimësi dhe përmirësim në ndeshjet e ardhshme.
“Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të vazhdojmë të përmirësohemi me të njëjtin pasion”, përfundoi ai.
Fitorja ndaj Bjellorusisë i dha Shqipërisë tri pikët e para në grup dhe Maranit një debutim pozitiv në stolin kuqezi. /Telegrafi/






