Kylian Mbappe është rikthyer në Madrid pasi u largua nga grumbullimi i Kombëtares së Francës, ndërsa të shtunën iu nënshtrua ekzaminimeve të para mjekësore në qendrën stërvitore të Real Madridit, Valdebebas.
Klubi madrilen ka konfirmuar zyrtarisht se sulmuesi 27-vjeçar ka pësuar një hiperzgjatje të gjurit të majtë dhe gjendja e tij do të monitorohet nga afër.

“Pas ekzaminimeve të kryera sot nga stafi mjekësor i Real Madridit ndaj lojtarit tonë Kylian Mbappe, është diagnostikuar një hiperzgjatje e kapsulës së pasme të gjurit të majtë. Gjendja e tij do të monitorohet nga afër”, thuhet në njoftimin e klubit.
Mbappe e pësoi lëndimin pak minuta pasi shënoi golin e vetëm të Francës në fitoren 1-0 ndaj Turqisë, në ndeshjen e parë të Zinedine Zidane si përzgjedhës i “Les Bleus”.
Kapiteni francez u detyrua të largohej nga fusha pasi ndjeu dhimbje në gju.
Real Madridi nuk ka dhënë ende një afat për rikthimin e tij, ndërsa mediat spanjolle raportojnë se Mbappe mund të mungojë rreth dy javë./Telegrafi/





