Kompania “Pestova” ka reaguar lidhur me rastin e raportuar në Slloveni, duke sqaruar se bëhet fjalë për një seri të kufizuar të produktit “Flips Ketchup” dhe jo për produktin “VIPA Chips”.
Në reagimin e saj, kompania ka bërë të ditur se menjëherë pas njoftimit ka vepruar në bashkëpunim me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
“Pas sqarimit të situatës, dhe me rekomandim të autoriteteve kompetente në Slloveni, produktet janë lëshuar në treg për qarkullim të lirë”, thuhet në reagimin e Pestovës.
Kompania ka theksuar se produktet e saj vazhdojnë të shiten rregullisht në tregun e Sllovenisë dhe në vendet e tjera të Bashkimit Evropian.

Pestova ka mohuar se në procesin e prodhimit të produkteve të saj përdoren produkte të qumështit.
“Dëshirojmë të theksojmë se në asnjë fazë të prodhimit, në asnjë linjë dhe në asnjë produkt të Pestovës nuk përdoret qumësht, laktozë, hirrë apo ndonjë nënprodukt tjetër i qumështit”, thuhet në reagim.
Sipas kompanisë, kjo është konfirmuar edhe nga inspektimi zyrtar i AUV-së, ndërsa Pestova pretendon se gjurmët e raportuara nuk kanë origjinë nga procesi i saj i prodhimit.
“Burimi i tyre po verifikohet përmes analizave shtesë në laboratorë të akredituar, dhe përfundimet do t’i ndajmë me autoritetet kompetente dhe me publikun sapo të jenë përfundimtare”, ka bërë të ditur kompania.
Pestova ka deklaruar se prej vitesh operon sipas standardeve ndërkombëtare për sigurinë dhe cilësinë e ushqimit, duke u certifikuar rregullisht nga organizata të pavarura dhe duke u monitoruar nga autoritetet vendore dhe evropiane.
Kompania ka thënë se mbetet e përkushtuar ndaj sigurisë së konsumatorëve dhe ruajtjes së besimit të tyre.
Ndryshe, gjatë ditës Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar se produkti ushqimor “Flips Ketchup” me prodhues Pestova me datë skadimi 11.02.2027 tërhiqet nga tregu.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka vlerësuar se pridukti në fjalë konsiderohet si i pasigurt për konsumatorët e ndjeshëm ndaj alergjenit qumësht.
“AUV menjëherë ka nisur gjurmueshmerinë për prodhimin dhe tregtimin e produktit”, thuhet mes tjerash në njoftim.





