Një vajzë 10-vjeçare me origjinë shqiptare është plagosur lehtë gjatë një incidenti me të shtëna me armë zjarri në zonën e Agios Panteleimonas në Athinë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 23:50 të së premtes, kur një makinë me katër persona iu afrua një kafeneje, raportojnë mediat.

Personat që ndodheshin në veturë hapën zjarr drejt kafenesë për një arsye që ende nuk dihet dhe më pas u larguan me shpejtësi në drejtim të panjohur.
Gjatë të shtënave, vajza 10-vjeçare u plagos lehtë në këmbën e majtë. Ajo u dërgua nga nëna e saj në Spitalin e Fëmijëve “Agia Sophia”, ku mori ndihmën e parë.
Ende nuk është e qartë nëse e mitura u plagos nga një plumb i drejtpërdrejtë apo nga copëzat e predhës.
Ndërkohë, makina e përdorur nga autorët u gjet e djegur pak kohë më vonë në zonën e Aspropirgos.
Policia greke ka nisur hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të dyshuar. /Telegrafi/





