Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, kërkoi që institucionet e Kosovës të veprojnë me urgjencë pas aktgjykimit të 16 shtatorit në Hagë. Ai tha se mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së dhe e së vërtetës për luftën duhet të jetë prioritet shtetëror.
“Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe bashkëluftëtarëve të tyre u është bërë një padrejtësi e madhe. Aktgjykimi ndaj tyre është i padrejtë, i papranueshëm dhe i ndikuar politikisht. Përgjegjësia jonë e parë është që të mos i lëmë vetëm”, tha Hamza në mbledhjen e Këshillit Drejtues të PDK-së, bëhet e ditur nga një njoftim i kësaj partie.

Sipas tij, mbështetja për ta duhet të zhvillohet brenda ligjit dhe institucioneve, përfshirë sigurimin e mbrojtjes në fazat e ardhshme të procesit. Hamza tha se Kosova duhet t’u përgjigjet edhe pasojave politike e historike të aktgjykimit me fakte, dokumente dhe diplomaci.
Duke folur për projektligjin e propozuar nga PDK-ja, ai tha se nisma synon rishikimin e fushëveprimit të Dhomave të Specializuara, jo mbylljen e tyre. Sipas propozimit, çështjet që nuk lidhen me pretendimet e raportit të Dick Martyt do të transferoheshin në sistemin e drejtësisë në Kosovë, bashkë me dosjet dhe provat përkatëse.
Hamza tha se projektligji parasheh edhe mundësinë e monitorimit ndërkombëtar të standardeve të gjykimit, kushteve të paraburgimit dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Ai shtoi se nisma nuk ndërhyn në proceset aktuale deri në përfundim të Apelit.
“Tani duhet të veprohet edhe si shtet. Kuvendi duhet ta bëjë pjesën e vet. Qeveria duhet ta bëjë pjesën e vet. Edhe PDK do ta bëjë pjesën e vet”, deklaroi Hamza.
Ai u bëri thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës së 1 tetorit në Prishtinë, që është paralajmëruar të nisë në orën 16:00.
Në fillim të mbledhjes, Këshilli Drejtues i PDK-së mbajti 1 minutë heshtje në nderim të Flora Brovinës.





