“Çfarë mbrëmje, çfarë fitoreje” – Agim Ademi me mesazh të fuqishëm pas triumfit të Kosovës ndaj Irlandës

Sport

Kosova e ka nisur me fitore edicionin e ri të Ligës së Kombeve, duke mposhtur Irlandën me rezultat 1-0 në stadiumin “Fadil Vokrri”. Golin e fitores e shënoi kapiteni Vedat Muriqi në minutën e 83-të, duke i dhënë “Dardanëve” tri pikët në ndeshjen hapëse. “Dardanët” zhvilluan një paraqitje të mirë gjatë gjithë ndeshjes, duke krijuar […]

Madhësia e shkronjave

Kosova e ka nisur me fitore edicionin e ri të Ligës së Kombeve, duke mposhtur Irlandën me rezultat 1-0 në stadiumin “Fadil Vokrri”. Golin e fitores e shënoi kapiteni Vedat Muriqi në minutën e 83-të, duke i dhënë “Dardanëve” tri pikët në ndeshjen hapëse.

“Dardanët” zhvilluan një paraqitje të mirë gjatë gjithë ndeshjes, duke krijuar disa raste dhe duke e mbajtur Irlandën nën presion.

Pas një pjese të parë pa gola, Kosova gjeti rrjetën në minutën e 83-të, kur Vedat Muriqi realizoi me kokë për 1-0.

Pas ndeshjes, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka reaguar përmes një deklarate, duke përgëzuar futbollistët, përzgjedhësin Franco Foda, stafin teknik dhe tifozët për këtë triumf.

Ademi e ka cilësuar fitoren si një nisje të rëndësishme të kapitullit të ri për Kombëtaren, ndërsa ka theksuar edhe atmosferën e krijuar në “Fadil Vokrri” dhe mesazhin e përcjellë nga tifozët në mbështetje të çlirimtarëve.

“Çfarë mbrëmje, çfarë fitoreje! Ju lumtë, Dardanë!”.

Ademi ka vlerësuar paraqitjen e Kosovës, duke theksuar se skuadra e ka nisur edicionin e ri me besim, përkushtim dhe ambicie.

Ai është ndalur edhe te humbja në finalen e play-off-it për Botërorin 2026 ndaj Turqisë, duke e cilësuar fitoren ndaj Irlandës si përgjigjen më të mirë të dhënë në fushë.

“Pas zhgënjimit të humbjes në finalen e ‘play-off’-it të Botërorit 2026 ndaj Turqisë, sonte dhamë përgjigjen më të mirë në fushë: vazhdojmë përpara, më të fortë dhe më të bashkuar drejt objektivave tona të reja”, ka shkruar Ademi.

Presidenti i FFK-së ka veçuar edhe atmosferën në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke falënderuar “Dardanët” dhe të gjithë tifozët për mbështetjen e dhënë gjatë 90 minutave.

Deklarata e plotë e presidentit të FFK-së, Agim Ademi:

“Çfarë mbrëmje, çfarë fitoreje! Ju lumtë, Dardanë!”

“E nisëm edicionin e ri të Ligës së Kombeve me fitore dhe me një paraqitje që dëshmon se Kombëtarja jonë është e gatshme të hapë një kapitull të ri, me besim, përkushtim dhe ambicie të reja”.

“Pas zhgënjimit të humbjes në finalen e ‘play-off’-it të Botërorit 2026 ndaj Turqisë, sonte dhamë përgjigjen më të mirë në fushë: vazhdojmë përpara, më të fortë dhe më të bashkuar drejt objektivave tona të reja”.

“Stadiumi ‘Fadil Vokrri’ sonte ishte i veçantë. Përveç lojës së Kombëtares dhe atmosferës fantastike të krijuar nga ‘Dardanët’, nga tribunat dhe në fushë u përcoll edhe një mesazh i fuqishëm në mbështetje të çlirimtarëve tanë. Një mesazh që na kujton se liria jonë ka një histori, sakrificë dhe emra që nuk harrohen”.

“Përgëzime për secilin futbollist për angazhimin, karakterin dhe përkushtimin e treguar gjatë 90 minutave”.

“Mirënjohje për përzgjedhësin Franco Foda dhe gjithë stafin teknik për punën dhe përkushtimin e tyre”.

“Faleminderit ‘Dardanëve’ dhe të gjithë tifozëve që ishin sonte në ‘Fadil Vokrri’ dhe që i dhanë zemër ekipit”.

“Mirënjohje edhe për ekipin organizativ, institucionet e rendit dhe sigurisë dhe të gjithë ata që kontribuuan që kjo mbrëmje të përmbyllej me sukses”.

“Sonte fituam në fushë, por fituam edhe në unitet, krenari dhe dashuri për Kosovën. LIRIA KA EMËR! PËR ÇLIRIMTARËT!”. /Telegrafi/