Corinna Schumacher, bashkëshortja e shtatë herë kampionit të botës në Formula 1, Michael Schumacher, ka ndarë disa kujtime personale për legjendën e automobilizmit në dokumentarin e ri të Netflix.
Michael Schumacher nuk është shfaqur në publik që nga aksidenti i skive në vitin 2013, kur pësoi lëndime të rënda në kokë. Që prej atëherë, familja e tij ka mbrojtur rreptësisht privatësinë e tij, ndërsa informacionet për gjendjen e tij shëndetësore kanë qenë tepër të rralla.
Në dokumentarin e ri të Netflix, “Schumacher ’94: Birth of a Legend”, i cili fokusohet në sezonin kur gjermani fitoi titullin e parë të kampionit të botës, Corinna ka zbuluar disa detaje intime nga jeta e tyre së bashku.
Ajo ka kujtuar veçanërisht këngën “Rush Rush” të Paula Abdul, e cila për çiftin kishte një kuptim të veçantë.
“Kjo ishte kënga jonë. Kur e dëgjoj sot në makinë, qaj vetëm me vete”, ka rrëfyer Corinna.
Ajo ka folur edhe për numrin e madh të letrave që Michael merrte nga fansat dhe ka kujtuar në veçanti një admiruese të tij.
“Merrte jashtëzakonisht shumë letra. Një vajzë i shkruante dhe bashkë me letrat i dërgonte gjithmonë edhe të brendshme. Quhej Jutta. Në një moment, ‘Hajde, Jutta’ u bë shprehja e tij e zakonshme”, ka treguar ajo.
Edhe pse dokumentari nuk sjell informacione të reja rreth gjendjes shëndetësore të Schumacherit, bashkëshortja e tij i ka kushtuar atij një mesazh emocionues.
“Zemra ime rreh për të kur fiton. Edhe kur humb. Zemra ime është gjithmonë me të. Është e mrekullueshme të jesh me dikë që mezi pret ta shohësh çdo ditë”, ka thënë Corinna.
Michael Schumacher garoi për Benetton në vitin 1994 dhe fitoi titullin e tij të parë të kampionit të botës pas një përfundimi kontrovers të sezonit dhe përplasjes me Damon Hill në garën e fundit në Adelaide.
Ai e mbrojti titullin edhe në vitin 1995, sërish me Benetton, ndërsa një vit më vonë u transferua te Ferrari.
Në garën për titull ishte edhe në vitin 1999, por gjatë Çmimit të Madh të Britanisë pësoi një aksident të rëndë, në të cilin theu këmbën. Megjithatë, ai arriti të rikthehej në pistë para përfundimit të sezonit.
Titullin e parë me Ferrarin e fitoi në vitin 2000, pas një dueli me Mika Häkkinen të McLarenit. Ky ishte fillimi i një periudhe të gjatë dominimi të Schumacherit dhe Ferrarit në Formula 1.
Gjermani fitoi më pas edhe katër tituj radhazi, nga viti 2001 deri në vitin 2004, duke e çuar në shtatë numrin e përgjithshëm të titujve të tij botërorë.
Schumacher u tërhoq për herë të parë nga Formula 1 në fund të vitit 2006, por u rikthye në vitin 2010 si pilot i Mercedesit.
Rikthimi nuk solli sukseset që kishte arritur gjatë viteve të tij më të mira me Ferrarin. Në tri sezone, ai u ngjit vetëm një herë në podium, në Çmimin e Madh të Evropës në Valencia në vitin 2012.
Në fund të atij sezoni, Schumacher u tërhoq përfundimisht nga Formula 1. /Telegrafi/






