Gazetarja Klodiana Lala i është përgjigjur deklaratave të ish-kreut të SHISH-it, Vlora Hyseni, e cila më herët gjatë ditës, pas daljes nga SPAK, kishte ngritur pretendime ndaj saj për takime me agjentë serbë në hotele.
Duke folur në emisionin “Opinion”, Lala i cilësoi pretendimet e Hysenit si “shpifje” dhe “përpjekje banale për shantazh”, duke thënë se ato lidhen me punën e saj si gazetare.
“E përbuz në mënyrën më të neveritshme të mundshme këtë shpifje të ulët dhe përpjekje banale për të më shantazhuar për shkak të detyrës”, deklaroi Lala.
Ajo tha se mesazhi i Hysenit, sipas saj, nuk ishte i drejtuar vetëm ndaj saj, por edhe ndaj personave të tjerë për të cilët ish-kreu i SHISH-it mund të ketë pasur informacione për shkak të pozitës që ka mbajtur.

“Ky mesazh ishte shantazhues ndaj gjithkujt për të cilin Vlora Hyseni ka siguruar informacione për shkak të detyrës, por ka zgjedhur njeriun e gabuar”, tha Lala.
Gazetarja kujtoi edhe një sulm të mëhershëm ndaj familjes së saj, duke thënë se nuk do të zmbrapset nga puna e saj.
“Unë kam ardhur këtu kur mbi fëmijët e mi janë qëlluar breshëri kallashnikovi dhe kam thënë që askush nuk më shantazhon dot. Unë jam njeri i lirë dhe e kam bërë karrierën time me ndershmëri”, deklaroi ajo.
Lala paralajmëroi se çështja do të ndiqet ligjërisht, duke bërë të ditur se ka ndërmarrë hapa në Prokurorinë e Posaçme, SPAK.
“Zonja do të përballet me mua në proces penal për cenim të integritetit, shantazh për shkak të detyrës dhe shpërndarje të informacioneve të rreme, duke kërcënuar sigurinë time dhe të familjes”, tha ajo.
Sipas Lalës, edhe familjarët e saj, të cilët kanë shtetësi britanike, po ndërmarrin hapa ligjorë në Britaninë e Madhe.
“Familja ime, për shkak se ka shtetësi britanike, po merr të gjitha hapat ligjorë në Britani. Ajo ka cenuar edhe familjen time përmes kësaj shpifjeje”, deklaroi gazetarja.
Lala theksoi se i qëndron integritetit të saj profesional dhe se nuk ka asgjë për të fshehur nga publiku.
“Unë i besoj integritetit tim, sepse e di çfarë kam bërë në jetën time”, tha ajo.
Gjatë diskutimit në studio, Lala u përfshi edhe në një debat të ashpër me analistin Albatros Rexhaj, pasi ky i fundit ngriti pikëpyetje lidhur me vërtetësinë e pretendimeve të bëra nga Vlora Hyseni ndaj gazetares.





