Gjiganti amerikan i sektorit të ushqimit të shpejtë, McDonald’s, ka njoftuar se deri në vitin 2036 synon të investojë rreth 8.5 miliardë dollarë për të mbështetur restorantet me franshizë.
Investimet do të përfshijnë uljen e qirave për hapësirat e restoranteve, si dhe mbështetjen financiare për investimet e pronarëve të franshizave, me synim rritjen e shitjeve.
Në kuadër të planit, McDonald’s ka vendosur objektiva për rritjen e marzhit operativ dhe pjesës së tregut, në përpjekje për të përshpejtuar sërish rritjen e shitjeve, raportojnë mediat.
Përmes strategjisë “NEXT”, të prezantuar në qershor, kompania synon të përmirësojë ofertën dhe shërbimin në restorante, si dhe të tërheqë më shumë klientë përmes produkteve të reja dhe çmimeve më të favorshme.
Inflacioni i lartë dhe konkurrenca mes zinxhirëve të ushqimit të shpejtë për të tërhequr klientë kanë ndikuar gjatë muajve të fundit në aktivitetin e McDonald’s dhe konkurrentëve të tij në SHBA dhe pjesë të tjera të botës.
Në periudhën prill-qershor, të ardhurat totale të McDonald’s u rritën me katër për qind, duke arritur në 7.1 miliardë dollarë.
Më e vështirë të rikthehen klientët me të ardhura më të ulëta
Të ardhurat e restoranteve me franshizë u rritën me të njëjtën përqindje, duke arritur në 4.4 miliardë dollarë, ndërsa të ardhurat nga restorantet në pronësi të kompanisë u rritën me tre për qind, në 2.5 miliardë dollarë.
Drejtuesit e kompanisë kanë përmendur vështirësitë në zbatimin e disa masave të biznesit si një nga arsyet për rritjen më të ngadaltë.
Në këto kushte, ka qenë më e vështirë që në restorante të rikthehen klientët me të ardhura më të ulëta, të cilët në përgjithësi kanë reduktuar shpenzimet për ushqim në restorante.
Para takimit me investitorët, drejtuesit e kompanisë njoftuan se deri në vitin 2036 do të investojnë rreth 8.5 miliardë dollarë në strategjinë “NEXT”, prej të cilave rreth pesë miliardë dollarë pritet të investohen deri në vitin 2030.
Pronarët e franshizave pritet ta kthejnë investimin për rreth katër vjet
Plani parashikon uljen e qirave për hapësirat e restoranteve dhe financimin e investimeve të pronarëve të franshizave.
Sipas vlerësimeve të drejtuesve të kompanisë, përmirësimi i efikasitetit me 2.5 pikë përqindjeje do t’i siguronte një restoranti mesatar në SHBA rreth 100 mijë dollarë më shumë fonde të disponueshme në vit.
Pronarët e franshizave pritet ta rikuperojnë investimin për rreth katër vjet.
Drejtuesit e McDonald’s vlerësojnë se zgjerimi i rrjetit të restoranteve në vitin 2027 do të rrisë shitjet totale me gati 2.5 për qind, ndërsa deri në vitin 2030 shitjet pritet të rriten me rreth dy për qind në vit. /Telegrafi/





