Sulmi terrorist në Banjskë, Kurti: Grupi terrorist nga Beogradi dështoi në sulmin tinëzar, kishte për qëllim aneksimin e veriut të Kosovës

Nacionale

Kryeministri i vendit, Albin Kurti në trevjetorin e sulmit terrorist në Banjskë nga një grup i armatosur nga Serbia ka thënë se ky grup nga Beogradi kishte për qëllim aneksimin e veriut të Kosovës, por që ka dështuar falë vendosmërisë dhe profesionalizmit të zyrtarëve të rendit e të inteligjencës. Kurti në një postim në Facebook […]

Madhësia e shkronjave

Kryeministri i vendit, Albin Kurti në trevjetorin e sulmit terrorist në Banjskë nga një grup i armatosur nga Serbia ka thënë se ky grup nga Beogradi kishte për qëllim aneksimin e veriut të Kosovës, por që ka dështuar falë vendosmërisë dhe profesionalizmit të zyrtarëve të rendit e të inteligjencës.

Kurti në një postim në Facebook shkruan se Republika e Kosovës ka ngadhënjyer mbi agresionin dhe krimin, heroi mbi terroristë.

Në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit 2023, në fshatin Banjskë të Zveçanit ra në krye të detyrës për sundim të ligjit, në mbrojtje të sovranitetit shtetëror dhe tërësisë territoriale të Republikës sonë, rreshteri i Policisë, tash hero i Kosovës, Afrim Bunjaku.

Grupi terrorist paraushtarak i organizuar, dirigjuar dhe financuar nga Beogradi, së cilit i printe kryekrimineli Millan Radoiçiq, dështoi në sulmin tinëzar që kishte për qëllim konflikt të armatosur e gjakderdhje në manastir ortodoks të shekullit XIV, dhe mandej aneksimin e veriut të Kosovës. Kjo falë vendosmërisë dhe profesionalizmit të zyrtarëve tanë në rendit e të inteligjencës, politikë e publikë, në mbrojtje të Republikës, të paqes, të drejtave dhe sigurisë për të gjithë.

Në Banjskë, në vendin e sulmit aty, rruga sot mban emrin e heroit Afrim Bunjaku. Ndërkaq, tre kriminelë janë vrarë gjatë aksionit atë ditë, tre janë në burg që prej asaj dite, e të gjithë të tjerët do të përgjigjen para drejtësisë në vendin tonë herdokur. Shteti ynë asnjëherë nuk do të heq dorë në kërkim të tyre derisa të gjithë të kenë marrë gjykimin e drejtësisë dhe dënimin e merituar.

Është e vërtetë, ata na kanë bërë dëm e shkaktuar vuajtje, por ne kemi fituar. Shteti ynë i pavarur, Republika e Kosovës, ka ngadhënjyer mbi agresionin dhe krimin, heroi mbi terroristët.

Lavdi jetës dhe veprës së rreshterit, heroit Afrim Bunjakut!. /Telegrafi/