Pentagoni ka përditësuar të dhënat zyrtare për viktimat, duke konfirmuar se 19 pjesëtarë të ushtrisë amerikane kanë humbur jetën në luftën me Iranin. Numri u rrit pasi në listë u shtua edhe një oficere që vdiq të premten nga një problem i papritur shëndetësor gjatë një udhëtimi drejt Lindjes së Mesme.
Sipas të dhënave të Sistemit të Analizës së Viktimave të Luftës të Departamentit amerikan të Mbrojtjes (DCAS), më shumë se 820 pjesëtarë të ushtrisë janë plagosur.

Megjithatë, zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë amerikanë thonë se bilanci publik mund të mos jetë i plotë. Pesë zyrtarë deklaruan javën e kaluar se të paktën 22 ushtarë amerikanë kanë humbur jetën në rajon që nga fillimi i operacioneve më 28 shkurt, ndërsa një zyrtar tjetër e vlerësoi numrin në 23, shkruan thewashingtonpost.
Një pjesë e viktimave nuk janë përfshirë në të dhënat zyrtare, pasi klasifikimi i vdekjeve kërkon hetim për të përcaktuar nëse ato kanë ndodhur gjatë shërbimit aktiv. Ky klasifikim ndikon edhe në ndihmën financiare që u takon familjeve të ushtarëve të rënë.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka mohuar pretendimet se ushtria po fsheh të dhënat për viktimat. “Edhe nëse do të përpiqeshim ta fshihnim një vdekje në luftime, ne kurrë nuk do ta bënim këtë dhe as nuk do të mund ta bënim”, tha ai.
Sipas DCAS-it, 14 vdekje janë regjistruar në kuadër të operacionit “Epic Fury”, emri zyrtar i fushatës ushtarake amerikane kundër Iranit, ndërsa pesë të tjerat janë klasifikuar si “Operacione Jashtë Vendit”.
Pentagoni kishte njoftuar më herët edhe për dy ushtarë amerikanë të vrarë në baza në Lindjen e Mesme, por emrat e tyre nuk figurojnë në të dhënat e DCAS-it.
Konflikti, i cili ka hyrë në muajin e shtatë, ka nxitur kundërshtime edhe në SHBA. Një sondazh i Fox News tregoi se 60 për qind e votuesve e konsiderojnë ndërhyrjen ushtarake në Iran vendim të gabuar, ndërsa 71 për qind thanë se nuk besojnë se administrata amerikane ka një plan të qartë për përfundimin e konfliktit. /Telegrafi/





