Përshtypja e gazetarit irlandez për Kosovën: E tashmja e këndshme lind nga jehonat e një të kaluare të errët

Nacionale

Prishtina, historia e saj, kujtesa e luftës dhe transformimi që ka përjetuar kryeqyteti i Kosovës janë vënë në fokus të një reportazhi të medias irlandeze në prag të ndeshjes ndërmjet Kosovës dhe Republikës së Irlandës. Në reportazh përshkruhet kontrasti mes së kaluarës së Kosovës, e cila vazhdon të jetë e pranishme përmes monumenteve dhe simboleve […]

Madhësia e shkronjave

Prishtina, historia e saj, kujtesa e luftës dhe transformimi që ka përjetuar kryeqyteti i Kosovës janë vënë në fokus të një reportazhi të medias irlandeze në prag të ndeshjes ndërmjet Kosovës dhe Republikës së Irlandës.

Në reportazh përshkruhet kontrasti mes së kaluarës së Kosovës, e cila vazhdon të jetë e pranishme përmes monumenteve dhe simboleve në kryeqytet, dhe një Prishtine moderne, të re dhe dinamike.

Gazetari e nis rrëfimin me zhvillimet e fundit lidhur me aktgjykimin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe protestat që pasuan në Prishtinë, duke e lidhur këtë me historinë e luftës së Kosovës.

Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, emri i të cilit, sipas gazetarit, është ndër gjërat e para që shohin tifozët irlandezë pas mbërritjes në Kosovë.

Ai shkruan se emri dhe imazhi i Adem Jasharit mund të shihen në forma të ndryshme në Prishtinë, ndërsa rikujton edhe zhvillimet e vitit 1999 në aeroport, kur trupat ruse mbërritën atje para forcave të NATO-s.

Në reportazh përmendet edhe prania e trupave britanike dhe përballja e tensionuar që pasoi, e cila përfundoi pa përshkallëzim të mëtejshëm.

Gjurmët e luftës, sipas autorit, mund të shihen edhe në pjesë të tjera të kryeqytetit.

Pranë stadiumit “Fadil Vokrri”, ku Kosova do të përballet me Irlandën, gazetari veçon memorialin “Heroinat”, kushtuar grave që përjetuan dhunë seksuale gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Ai përmend gjithashtu statujën e ish-presidentit amerikan Bill Clinton dhe bulevardin që mban emrin e tij, duke shkruar për respektin që ekziston në Kosovë ndaj Clintonit për rolin e SHBA-së dhe NATO-s gjatë luftës.

Në fokus të reportazhit është edhe sheshi “Skënderbeu”, ku gazetari kishte parë posterë me emblemën e UÇK-së dhe fotografitë e ish-krerëve të saj, përfshirë Hashim Thaçin.

Megjithatë, përtej këtyre kujtimeve dhe zhvillimeve politike, ajo që i ka lënë përshtypje gazetarit është atmosfera e përditshme e Prishtinës.

Ai e përshkruan kryeqytetin si të relaksuar dhe me një popullsi dukshëm të re, duke e krahasuar atmosferën përreth restoranteve dhe kafeneve me atë të një qyteti studentor.

Sipas reportazhit, Prishtina gjithashtu po kalon nëpër një transformim të madh urban.

Ndërtimet e reja, hotelet e larta dhe projektet e shumta në zhvillim përmenden si dëshmi të ndryshimeve që ka përjetuar qyteti, veçanërisht krahasuar me periudhën para shpalljes së pavarësisë më 2008.

Nëpër kryeqytet, gazetari ka vërejtur edhe shenjat që paralajmërojnë një tjetër kapitull për Kosovën – organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.

Ndërkohë, tifozët irlandezë tashmë janë bërë pjesë e pamjes së qytetit. Grupe tifozësh të veshur me të gjelbër janë parë nëpër rrugë dhe sheshe, përfshirë pranë monumentit “Newborn” dhe Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, afër stadiumit “Fadil Vokrri”.

Përshtypja përfundimtare e gazetarit është ajo e një qyteti evropian të qetë dhe mikpritës, pavarësisht historisë së rëndë që vazhdon të jetë e dukshme në shumë pjesë të tij.

Ai rikujton edhe fjalët e ish-përzgjedhësit të Kosovës, Albert Bunjaki, i cili duke folur për vendlindjen e tij kishte thënë se në Kosovë ka “dashuri në ajër”, mes ushqimit dhe njerëzve.

Sipas gazetarit irlandez, kjo ndjesi vërehet në Prishtinë, edhe pse “mbetjet më të errëta të së kaluarës ende jehojnë”. /Telegrafi/