Motorola ka prezantuar modelin e ri Motorola Signature 27 në kuadër të Snapdragon Summit, i cili përdor platformën më të fundit mobile të Qualcomm, Snapdragon 8 Elite Extreme Gen 6.
Ky është modeli i dytë i serisë Signature, ndërsa Motorola ka ndryshuar mënyrën e emërtimit, duke përfshirë në emër dy shifrat e fundit të vitit të ardhshëm.
Telefoni vjen me sistemin e ri të ftohjes ArcticMesh, i cili kombinon xhel termik me grimca diamanti, metal të lëngshëm, rrjetë bakri dhe një dhomë avulli 3D. Sipas Motorola-s, ky sistem është 40 për qind më i madh krahasuar me gjeneratën e mëparshme. Kompania premton gjithashtu shtatë vjet përditësime të softuerit.

Signature 27 sjell integrim me Google Gemini, me funksione të orientuara drejt përpunimit të fotografive, videove dhe aplikacioneve të tjera.
Funksioni Gemini Omni mund të shndërrojë kërkesat me tekst, fotografitë ose videot ekzistuese në përmbajtje të reja video, ndërsa teknologjia Lyria përdoret për krijimin e muzikës dhe kolonave zanore.
Në pjesën e pasme, telefoni ka një kamerë kryesore me sensorin Sony LYTIA 910 prej 50 megapikselësh, ndërsa kamera telefoto periskopike ka sensor prej 200 megapikselësh.
Motorola ka integruar edhe Video Enhancement Engine, i cili përdor inteligjencën artificiale për të përshtatur tonet dhe ngjyrat gjatë regjistrimit të videove.
Signature 27 është gjithashtu telefoni i parë i Motorola-s me sistemin audio Audio by B&O, pas partneritetit shumëvjeçar të kompanisë me Bang & Olufsen.
Pajisja ka trup prej alumini me skaje të rrumbullakosura, ndërsa moduli i kamerave është i ndërtuar nga qeramika dhe alumini i përpunuar. Telefoni do të ofrohet në dy variante: Pantone Coal Smoke dhe Pantone Capulet Olive.
Motorola ende nuk ka bërë të ditura çmimin, datën e saktë të shitjes dhe të gjitha specifikat e telefonit. Kompania ka konfirmuar se pajisja pritet të jetë e disponueshme në tregjet globale gjatë vitit 2026. /Telegrafi/





