Një 32-vjeçar kinez ka hapur dy sallone të pazakonta ku klientët paguajnë për t’u kruar lehtë në trup, me qëllim që të çlodhen dhe të lehtësojnë stresin.
Zhang Xiaochao e lindi idenë pasi pa në internet një video ku një grua i kruante shpinën bashkëshortit të saj. Në komentet e videos, disa njerëz shkruanin se do të paguanin dikë për t’u ofruar një shërbim të tillë. Zhang kujtoi gjithashtu se, kur ishte fëmijë, i pëlqente të binte në gjumë ndërsa babai i kruante butësisht shpinën.

Ai hapi sallonin e parë në distriktin Bao’an të Shenzhenit, ndërsa më pas hapi edhe një të dytë. Sipas tij, të dyja bizneset tashmë gjenerojnë rreth 100 mijë juanë, ose afërsisht 15 mijë dollarë, në muaj.
Biznesi u hap në maj dhe, sipas Zhangut, tashmë është fitimprurës. Ai planifikon ta zgjerojë në mbarë Kinën, me synimin për të hapur rreth 100 lokacione të reja.
Shërbimi është i thjeshtë: klientët shtrihen, ndërsa punonjësit, të cilët mbajnë thonj plastikë me majë, ua kruajnë trupin.
Zhang thotë se është dashur të studiojë teknika të ndryshme të kruarjes dhe madje të krijojë disa prej tyre, pasi nuk kishte shërbime të ngjashme nga të cilat mund të merrte shembull.
Një orë e këtij shërbimi kushton 300 juanë, rreth 41 dollarë. Sipas Zhangut, shërbimi synon kryesisht njerëzit që duan të çlirohen nga stresi dhe të përmirësojnë cilësinë e gjumit.
Ai thotë se disa klientë e kanë cilësuar këtë përvojë edhe më relaksuese se masazhi dhe se sallonet tashmë kanë klientë të rregullt. /Telegrafi/





