Komuna e Kamenicës ka njoftuar se Ndërmarrja Publike “Dardana” është pajisur me makineri dhe pajisje të reja në vlerë prej rreth 40 mijë eurosh.
Sipas njoftimit, pajisjet e reja synojnë zgjerimin e kapaciteteve operative të ndërmarrjes dhe përmirësimin e cilësisë dhe efikasitetit të shërbimeve për qytetarët.
Kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj, së bashku me anëtarët e Bordit dhe punëtorë të ndërmarrjes, ka parë nga afër pajisjet e reja, të cilat tashmë janë në dispozicion të stafit.
“Jam i lumtur që po punojmë çdo ditë që ndërmarrja jonë të marrë formë dhe të jetë gjithnjë e më shumë në shërbim të Kamenicës dhe qytetarëve të saj”, ka thënë Rahimaj.
Ai ka bërë të ditur se pajisjet do të mundësojnë zgjerimin e veprimtarisë së ndërmarrjes, lehtësimin e punës së punëtorëve dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore, përfshirë mirëmbajtjen e ndriçimit publik.
Në mesin e pajisjeve të siguruara janë multikultivatorë me pajisje shtesë, mulçerë, plugje, spërkatëse, kosë për traktorë, shpërndarëse plehu, cisternë dhe kombi me korpë.
Sipas Komunës, investimi paraqet një hap të rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm të ndërmarrjes dhe përmirësimin e kushteve të punës për punëtorët. /Telegrafi/






