Presidenti amerikan, Donald Trump ka përsëritur pretendimin se gjatë mandatit të tij të dytë ka kontribuar në përfundimin e tetë luftërave dhe konflikteve në mbarë botën.
Trump tha se për të ka qenë “nder i madh” t’u japë fund këtyre konflikteve, duke pretenduar se pothuajse të gjitha vendet e përfshira i kanë dërguar letra falënderimi.

Ai gjithashtu deklaroi se kryeministri i Pakistanit i kishte thënë se ndërhyrja e tij kishte shpëtuar 30 milionë jetë, shkruan skynews.
Në listën e konflikteve që Trump pretendon se i ka përfunduar përfshihen lufta mes Izraelit dhe Hamasit, konflikti mes Izraelit dhe Iranit, mosmarrëveshja mes Egjiptit dhe Etiopisë, përplasja Indi-Pakistan, tensionet Serbi-Kosovë, konflikti Ruandë-Kongo, ai mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, si dhe luftimet mes Kamboxhias dhe Tajlandës.
Pretendimet e Trumpit për rolin e tij në përfundimin e konflikteve kanë qenë pjesë e retorikës së tij të politikës së jashtme që prej kthimit në Shtëpinë e Bardhë.
Para fillimit të mandatit të dytë, Trump kishte deklaruar në mënyrë të përsëritur se do t’i jepte fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës brenda një dite.
Megjithatë, lufta në Ukrainë vazhdon, pavarësisht përpjekjeve diplomatike dhe negociatave të zhvilluara gjatë mandatit të tij. /Telegrafi/





