Presidenti francez Emmanuel Macron tha se zhvilloi bisedime “shumë konstruktive” me presidentin amerikan Donald Trump për luftën në Lindjen e Mesme dhe situatën në Ukrainë.
Takimi u zhvillua në Nju Jork, ku Macron ndodhet për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Pas takimit, presidenti francez tha se të dy liderët diskutuan edhe mundësinë e rihapjes së ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit të naftës dhe gazit në botë.
Sipas Macronit, u shqyrtuan disa mundësi që do të lejonin kalimin e më shumë anijeve të mallrave dhe cisternave, edhe pa arritur fillimisht një marrëveshje gjithëpërfshirëse, transmeton Telegrafi.
Në fokus ishte edhe Deti i Kuq, ku siguria e transportit detar është bërë veçanërisht e rëndësishme për tregjet globale të energjisë. Përshkallëzimi i konfliktit në Jemen dhe veprimet e Houthive, të mbështetur nga Irani, kanë komplikuar më tej lëvizjen e anijeve në këtë rrugë strategjike.
Macron tha se me Trumpin diskutoi gjatë edhe luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, duke kërkuar përshpejtimin dhe forcimin e furnizimit të Ukrainës me sisteme mbrojtëse, veçanërisht me raketa interceptuese.
“Është një masë mbrojtëse”, tha Macron, duke theksuar nevojën për të ndihmuar më shpejt Ukrainën në mbrojtjen e saj ajrore.
Dy presidentët diskutuan gjithashtu mundësinë e një armëpushimi në sektorin energjetik dhe një moratoriumi për sulmet ndaj infrastrukturës energjetike, përfshirë në zonën e Detit të Zi. Macron tha se mbrojtja e sistemit energjetik ukrainas është një çështje urgjente.
Presidenti francez bëri të ditur se këtë çështje do ta diskutonte edhe me homologun ukrainas Volodymyr Zelensky, me të cilin u takua në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Bisedimet Macron-Trump zhvillohen në një kohë kur siguria e rrugëve kryesore detare dhe furnizimi global me energji janë bërë çështje qendrore, ndërsa luftërat në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë vazhdojnë të ndikojnë në tregjet ndërkombëtare. /Telegrafi/






