Zëvendëspresidenti i Odës Ekonomike Zvicër–Kosovë, Butrint Ajredini, u ka bërë thirrje shqiptarëve të diasporës dhe investitorëve zviceranë që të investojnë në Kosovë, duke vlerësuar se kapitali i tyre mund të krijojë biznese, vende pune dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Në “Përballje Podcast”, me kryeredaktorin e Telegrafit, Ajredini tha se diaspora shqiptare ka luajtur historikisht rol të rëndësishëm në mbështetjen ekonomike të Kosovës përmes remitencave.
Megjithatë, sipas tij, qasja po ndryshon te gjenerata e dytë dhe e tretë e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.
“A duhet të vijnë shqiptarët e diasporës apo zviceranët të investojnë në Kosovë? Po, duhet të vijnë. Në të kaluarën, shqiptarët e kanë mbajtur Kosovën përmes remitencave, por kjo po ndryshon me gjeneratën e dytë dhe të tretë”, deklaroi Ajredini.

Ai theksoi se brezat e rinj të diasporës nuk duan të dërgojnë para vetëm për konsum, por synojnë të investojnë në biznese që krijojnë paga dhe mundësi të reja punësimi.
“Gjenerata e dytë dhe e tretë nuk dëshiron vetëm të dërgojë para për konsum. Ne duam të krijojmë biznese, të paguajmë paga dhe t’u mundësojmë njerëzve e familjeve të jetojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Kosovë”, tha ai.
Sipas Ajredinit, investimet e diasporës mund ta zgjerojnë tregun dhe sektorët ekonomikë, duke krijuar vende pune që përputhen me arsimimin dhe përgatitjen profesionale të të rinjve.
Ai vlerësoi se të rinjtë që përfundojnë fakultetin, trajnimet profesionale ose mësojnë një zanat duhet të kenë mundësi të punojnë në profesionet për të cilat janë përgatitur.
“Secili që përfundon një shkollë apo fakultet duhet të ketë mundësi të punojë në profesionin që ka mësuar. Nuk duhet që dikush që ka përfunduar Fakultetin Ekonomik të detyrohet të punojë si kamerier vetëm sepse nuk ka mundësi tjetër”, u shpreh Ajredini.
Ai theksoi se synimi i gjeneratave të reja të diasporës duhet të jetë krijimi i një modeli të ri të kontributit për Kosovën.
“Qëllimi i gjeneratës së dytë është të mos dërgojë vetëm remitenca, por të investojë për të krijuar vende pune dhe zhvillim ekonomik. Brezave të rinj që përfundojnë studimet, trajnimet dhe zanatet duhet t’u krijohet një e ardhme më e mirë”, deklaroi ai.
Ajredini shtoi se zhvillimi i bizneseve do t’u mundësonte profesionistëve nga Kosova t’i ofrojnë shërbimet e tyre jo vetëm brenda vendit, por edhe në tregjet ndërkombëtare. /Telegrafi/





